Tre vajza të mitura në Korçë përfunduan në spital pas konsumimit të disa karameleve të dyshimta që mund të kenë pasur përbërje me kanabis.
Shefi i Pediatrisë në Korçë, Robert Rado, konfirmoi se tre vajza të moshës 3, 7 dhe 10 vjeç u paraqitën me simptoma të rënda pas konsumimit të disa karameleve. Vajza më e vogël, vetëm 3 vjeç, ndodhej në gjendje kritike dhe u desh të intubohej nga mjekët.
Ndërkohë, dy vajzat e tjera, 7 dhe 10 vjeç, janë raportuar në gjendje më stabile, me parametra shëndetësorë më të afërt me normalitetin. Mjekët theksojnë se gjendja e tyre është nën vëzhgim të vazhdueshëm, por deri tani nuk paraqet rrezik jetik.
Dyshimet kryesore lidhen me praninë e kanabisit ose derivateve të tij në karamelet e konsumuara. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse bëhet fjalë për produkte origjinale Haribo apo për imitime të falsifikuara që qarkullojnë në treg.
Kujtojmë se pak muaj më parë në Holandë u raportua një rast i ngjashëm, ku disa paketime të Haribo “Happy Cola F!ZZ” u tërhoqën nga tregu pasi testet zbuluan gjurmë kanabisi. Rasti aktual në Korçë ka shtuar alarmet për rrezikun që fëmijët mund të ekspozohen ndaj produkteve të kontaminuara.
Analizat laboratorike mbi karamelet e sekuestruara janë ende në proces. Nuk dihet ende sasia e substancës së dyshuar, as përqindja e ndikimit të saj në shëndetin e vajzave. Autoritetet shëndetësore dhe policia po hetojnë paralelisht për të përcaktuar burimin dhe autenticitetin e produktit.
Pyetja më e madhe mbetet e hapur: a ishin këto karamele pjesë e një pakete të markës së njohur apo kopje të falsifikuara të hedhura në treg? Përgjigja për këtë do të vijë vetëm pasi të përfundojnë analizat.
Nga: Ndriçim Gjoshi