Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në një intervistë për të përditshmen Corriere della Sera, ka deklaruar se gjatë dy viteve e gjysmë në detyrë nuk ka bërë asnjë zgjedhje për të cilën duhet të ndihet e turpëruar, pavarësisht gabimeve që pranon se ka bërë.
Ajo ka mbrojtur me vendosmëri politikën e saj mbi emigracionin dhe veçanërisht marrëveshjen e diskutuar me Shqipërinë, të nënshkruar më 6 nëntor 2023.
Duke e cilësuar protokollin me Shqipërinë si një “zgjidhje përparimtare”, Meloni theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në luftën kundër trafikantëve të emigrantëve. “Ekzekutivi ka marrë vendime të sakta në lidhje me emigracionin, dhe marrëveshja me Shqipërinë është një prej tyre. Ajo po shërben si një leksion për Europën dhe më gjerë, pasi godet organizatat kriminale që spekulojnë me emigrantët për përfitime të paligjshme,” tha kryeministrja italiane.
Meloni zbuloi gjithashtu se kjo çështje ka qenë pjesë e diskutimeve me kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili ka shprehur interes për modelin italian. Ajo e konsideroi marrëveshjen me Shqipërinë një shembull të mirë për t’u ndjekur nga vendet europiane dhe ato jashtë Bashkimit Europian.
“Emigracioni është një fenomen që prek të gjithë kontinentin dhe kërkon një bashkëpunim të gjerë. Ne kemi rënë dakord me Starmer për të intensifikuar luftën kundër trafikantëve dhe për të eksploruar zgjidhje novatore, si përpunimi i kërkesave për azil në territore jashtë BE-së, por nën juridiksionin italian dhe europian,” shtoi Meloni.
Vendosmëria e qeverisë italiane për të zbatuar protokollin u riafirmua në fund të dhjetorit, kur kabineti i Melonit vendosi të vazhdojë me planin për dërgimin e azilkërkuesve të refuzuar në kampin e Gjadrit në Shqipëri. Ky vendim mbështetet në një rezolutë të Gjykatës së Lartë të Italisë më 19 dhjetor, që konfirmon të drejtën e qeverisë për të përcaktuar listën e vendeve të sigurta të origjinës.
Në të njëjtën kohë, Gjykata e Romës ka kërkuar mendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me këtë praktikë. Ndërkohë, më 25 shkurt, pritet një vendim nga Gjykata Europiane e Drejtësisë për përcaktimin e vendeve të sigurta, çka mund të ndikojë në vijimësinë e marrëveshjeve të tilla.
Në intervistën e saj, Meloni u përpoq të përforcojë legjitimitetin e masave të ndërmarra nga qeveria, duke i cilësuar ato si pjesë e një strategjie më të gjerë për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të përmirësuar kontrollin mbi fenomenin e emigracionit. Deklaratat e saj vijnë në një moment kritik për politikën italiane mbi emigracionin, duke nxitur debate të shumta brenda dhe jashtë vendit.