Gërvalla: Serbia me portofolin në Bruksel dhe zemrën në Moskë

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka ngritur tonet e kritikës ndaj Serbisë gjatë një fjalimi para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (PE).

Në fjalën e saj, ajo e përshkroi politikën e jashtme të Serbisë si të dyzuar mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë, duke e konsideruar këtë qëndrim si një kërcënim për stabilitetin e rajonit dhe Evropës.

Gërvalla tha se Serbia, edhe pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, ka vazhduar të forcojë marrëdhëniet me Moskën. “Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë për koordinimin e politikës së jashtme. Ky është një akt që vë në pikëpyetje serioze angazhimin e saj ndaj vlerave evropiane,” deklaroi ajo.

Ministrja ngriti shqetësimin për tolerancën e gjatë që, sipas saj, Evropa ka treguar ndaj Serbisë dhe politikave të saj destabilizuese. “Lidershipi aktual serb nuk e do Evropën, ata thjesht duan eurot e Evropës. Portofolin e kanë në Bruksel, ndërsa zemrën në Moskë,” theksoi Gërvalla, duke nënvizuar kontradiktën mes përfitimeve ekonomike nga BE-ja dhe orientimit politik drejt Rusisë.

Duke përmendur sulmin terrorist të ndodhur së fundmi në veri të Mitrovicës, ajo e cilësoi atë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj infrastrukturës energjetike të Kosovës dhe një kërcënim për sigurinë në të gjithë Evropën. Gërvalla bëri thirrje për një përgjigje të vendosur dhe të shpejtë nga BE-ja: “Jo vetëm për shkak të Kosovës, por për stabilitetin e gjithë Evropës. Nuk mund t’i japim miliarda euro një vendi që hapur sfidon vlerat evropiane.”

Në fjalën e saj, ministrja nuk kurseu as krahasimet mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putinit. “Vuçiq ndan të njëjtin vizion si Putini – dëshiron territore të reja dhe ndjen se ka të drejtë t’i marrë ato. Kjo është e ngjashme me atë që bënte Millosheviqi në të kaluarën,” tha Gërvalla, duke kujtuar politikën agresive të viteve ’90.

Ministrja e Jashtme gjithashtu i bëri thirrje vendeve evropiane të shohin faktet dhe të mos bien pre e propagandës. “Mos na besoni neve, shikoni faktet. Nuk mund të tolerojmë më një politikë të tillë, sepse vonesat mund të kenë pasoja të rënda për të gjithë,” shtoi ajo.

Gërvalla u ndal edhe te shpërthimi në kanalin e Ibër Lepencit, duke e cilësuar atë një akt terrorist me qëllim destabilizimin e mëtejshëm të rajonit. “Ky është një alarm që Evropa nuk mund ta injorojë më. Duhet të veprojmë shpejt për të parandaluar pasoja më të mëdha,” tha ajo.

Në fund të fjalimit, ministrja e Kosovës i bëri thirrje BE-së që të mbajë qëndrime më të qarta dhe më të ashpra ndaj Serbisë. Ajo theksoi se pa një qasje të tillë, rajoni rrezikon të kthehet në një pikë tensioni të vazhdueshëm, që mund të dëmtojë edhe vetë stabilitetin evropian.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera