Deputeti dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka përsëritur akuzat ndaj Policisë së Shtetit gjatë një deklarate nga sheshi pranë Bashkisë, ku u bashkuan dy grupet protestuese.
Bardhi kritikoi dhunën e ushtruar nga uniformat blu, përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit për shpërndarjen e turmës në disa pika të protestës.
Sipas tij, veprimet e Policisë ishin rezultat i zbatimit të urdhrave të paligjshëm. Ai gjithashtu kujtoi veprimet e SPAK, duke theksuar se urdhrat e arrestit ekzekutohen vetëm jashtë vendit, ndërsa në Shqipëri ato injorohen, një fakt që, sipas tij, dëshmon lidhjet e Policisë me krimin e organizuar.
“Policia është kundër opozitës dhe në shërbim të krimit. Jemi drejt një shteti që nuk njeh ligje, nuk respekton Kushtetutën dhe zbaton vetëm urdhra të paligjshëm,” deklaroi Bardhi. Ai vuri në dukje se në disa pika të protestës, efektivët e Policisë nuk mbanin numra identifikimi, duke ngritur dyshime mbi përkatësinë e tyre. “Nuk e dimë nëse ishin anëtarë të bandave, patronazhistë apo çfarë tjetër. Në disa pika ku nuk pati dhunë, duket se efektivët e kanë kuptuar se urdhrat e dhënë ishin të paligjshëm,” shtoi ai.
Sipas Bardhit, ndërhyrjet e dhunshme ishin të qëllimshme dhe të organizuara për të shkelur ligjin. “Në dy pikat ku u përdor dhunë, urdhrat ishin të qarta: të shtypeshin qytetarët dhe të mos respektohej ligji,” tha ai.
I pyetur për vijimin e protestave, deputeti theksoi se vendimi është në duart e qytetarëve dhe se opozita do të ndjekë vullnetin e tyre. “Protestën e çuam deri në fund, sipas planit tonë, tek Bashkia. Do t’i bindemi vullnetit të qytetarëve për të vendosur deri kur do vazhdojë mosbindja civile,” deklaroi Bardhi.
Duke kritikuar ashpër Policinë, Bardhi e akuzoi atë si një institucion që vepron nën urdhrat e krimit të organizuar. “Kjo është një polici që dhunon qytetarët, i lag me ujë, i gazon dhe shkel çdo normë ligjore. Është e papranueshme kjo që po ndodh në një shtet që pretendon të jetë demokratik,” tha ai.
Në fund, Bardhi paralajmëroi se opozita do të bëjë publike hapat e saj të mëtejshëm hap pas hapi. Ai nënvizoi se protestat nuk do të ndalen derisa qytetarët të shohin ndryshim dhe drejtësi. “Hapat tanë do t’i bëjmë të ditura, dhe kjo nuk do të ndalet derisa të garantojmë respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve,” përfundoi Bardhi.