Gaza boshatiset nën zjarrin e luftës izraelite

Qyteti i Gazës është kthyer në një zonë fantazmë, pasi ushtria izraelite ka evakuuar rreth 900 mijë palestinezë, mes përshkallëzimit të operacioneve ushtarake kundër Hamasit.

Sipas raportimeve të “Times of Israel”, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmojnë se pjesa më e madhe e popullsisë civile është larguar nga qyteti. Nga një milion banorë që jetonin aty para ofensivës, rreth 900 mijë janë zhvendosur drejt jugut të Rripit të Gazës, në përpjekje për t’i shpëtuar bombardimeve dhe luftimeve intensive.

Evakuimi masiv është rezultat i urdhrave të përsëritura nga Izraeli, i cili u kërkoi civilëve të linin menjëherë zonën veriore dhe të shpërnguleshin drejt një “zone humanitare” të caktuar në jug. IDF ka theksuar se procesi i largimit është intensifikuar ndjeshëm javët e fundit, teksa trupat izraelite kanë hyrë më thellë në lagjet qendrore të qytetit.

Ndërkohë, situata humanitare në jug të Gazës është përkeqësuar në mënyrë dramatike. Qindra mijëra të zhvendosur jetojnë në tenda të improvizuara, pa ujë të pijshëm, pa ushqim të mjaftueshëm dhe me akses minimal në ndihmë mjekësore. Mjekët dhe organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë për rrezik të lartë epidemish dhe urie masive.

Organizatat humanitare botërore kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe hapjen e korridoreve të sigurta për dërgimin e ndihmave. Sipas tyre, civilët janë bërë viktimat kryesore të ofensivës që po zgjat prej muajsh.

Ushtria izraelite, megjithatë, ka deklaruar se nuk do të ndalet derisa të “shkatërrojë kapacitetet ushtarake të Hamasit” në të gjithë territorin e Gazës. IDF pretendon se operacionet janë të nevojshme për “neutralizimin e kërcënimeve” që, sipas tyre, vijnë nga grupi militant palestinez.

Në terren, realiteti mbetet dramatik: Gaza është zbrazur, shtëpitë janë rrënuar dhe mijëra familje janë shndërruar në refugjatë në vendin e tyre. Lufta vazhdon, ndërsa zëri i njerëzve që kërkojnë paqe humbet në zhurmën e bombardimeve.

Ndaj Postimin: