Dëshmia e Beqir Bojës hedh dritë mbi negociatat për shmangien e gjakmarrjes pas atentatit ndaj Arjan Ndojës, ku u vra shoferi Andi Maloku.
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes, të akuzuar për atentatin e bujshëm kundër ish-prokurorit Arjan Ndoja. Nga sulmi mbeti i plagosur Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi”, ndërsa humbi jetën shoferi i Ndojës, Andi Maloku.
Në këtë proces ka dëshmuar Beqir Boja, një pajtues i njohur gjaqesh, i cili ka treguar prapa skenat e përpjekjeve për të shmangur hakmarrjen mes familjes së Malokut dhe asaj të Rrajës. Ai ka shpjeguar se u kontaktua personalisht nga Asllan Rraja, babai i Redian Rrajës, i cili aktualisht është i dënuar me burgim të përjetshëm për atentatin. Qëllimi ishte të siguronte një periudhë paqësimi mes familjeve pas ngjarjes tragjike.
Boja tha në gjykatë se në vitin 2019, kur jetonte në Kamëz dhe ishte kryetar i këshillit të komunës Zallherr, u përfshi në negociata si pjesë e komisionit të pajtimit të gjaqeve. Ai kujtoi se Asllan Rraja i kërkoi të ndërhynte për të zbutur tensionet me familjen Maloku, duke garantuar se familja e tij nuk kishte dijeni për vrasjen. “Ata bënë be në Kuran se nuk kishin lidhje me vrasjen e Andit,” tregoi Boja.
Gjatë takimit me familjen Maloku, ai mori garanci nga Genci Maloku, i afërm i viktimës, se nuk do të ndërmerrej asnjë veprim hakmarrjeje për një periudhë tre mujore. Sipas dëshmisë së Bojës, kjo periudhë u kërkua për të pritur përfundimin e hetimeve dhe vendimin e drejtësisë.
Më vonë, është zhvilluar edhe një takim i dytë, ku Genci Maloku theksoi se djali ishte vrarë i pafajshëm dhe se familja kërkonte drejtësi, jo hakmarrje. Pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësimit, familja Maloku nuk pranoi zgjatjen e afatit të paqes, duke i dhënë fund çdo komunikimi më pas.
Boja përfundoi dëshminë e tij duke theksuar se nuk njeh të pandehurit në sallë dhe se roli i tij ishte vetëm për të ndërmjetësuar. “Genci Maloku na dha garanci që për tre muaj nuk do merrte hak,” u shpreh ai, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së qetësisë mes familjeve në një periudhë të tensionuar.