Gara evropiane drejt Botërorit 2026 hyn në fazën vendimtare

Kombëtaret e mëdha të Evropës luftojnë për biletat e Botërorit 2026, ndërsa disa rrezikojnë seriozisht dhe të tjera mund ta mbyllin kualifikimin që në ndeshjen e radhës.

Brenda vetëm gjashtë ditësh në arenën evropiane zhvillohen 48 ndeshje vendimtare, të ndara në 12 grupe, ku çdo kombëtare synon të sigurojë një vend në fazën finale të Kupës së Botës 2026. Deri tani, vetëm Anglia e ka mbyllur misionin, ndërsa 11 biletat e tjera mbeten të hapura dhe pritet të përcaktohen në ndeshjet e radhës.

Në shumicën e grupeve, gara për vendin e parë është e fortë dhe përfshin emrat më të mëdhenj të futbollit europian. Austria, Belgjika, Kroacia, Franca, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Spanja dhe Zvicra kanë mundësinë ta sigurojnë kualifikimin menjëherë me fitore. Ndërkohë, Italia dhe Gjermania përballen me rreziqe reale, pasi pozicionet e tyre mbeten të brishta dhe varen nga rezultatet e kundërshtarëve.

Në grupet respektive, Kroacisë i mjafton një pikë kundër Ishujve Faroe për të vulosur kalimin, ndërsa Portugalia e Cristiano Ronaldos kërkon një fitore të enjten ndaj Irlandës për të siguruar Botërorin që në ndeshjen e parë. Franca pret Ukrainën në Paris, Holanda udhëton në Poloni, ndërsa Belgjika sfidohet në transfertën e Kazakistanit, duke pasur një shans të dytë në rast dështimi.

Spanja, kampione e Evropës, mund të mbyllë llogaritë që të shtunën në Gjeorgji, por vetëm nëse Turqia nuk fiton ndaj Bullgarisë. Në të kundërt, dueli Spanjë–Turqi në Sevilje shndërrohet në një finale të vërtetë. Gjermania kërkon fitore ndaj Luksemburgut dhe një rezultat pozitiv të Sllovakisë kundër Irlandës së Veriut për të hyrë të paktën në fazën e eliminatoreve.

Sipas formatit të ri, 12 fituesit e grupeve kualifikohen direkt, ndërsa katër vendet shtesë europiane dalin nga një mini-turne playoff me 16 ekipe: 12 të dytat e grupeve të UEFA-s dhe 4 fituese të grupeve të Ligës së Kombeve. Ky turne zhvillohet në mars 2026 me gjysmëfinale dhe finale me një ndeshje të vetme.

Deri tani, 28 vende e kanë siguruar Botërorin 2026. Përveç tre vendeve pritëse – SHBA, Kanada dhe Meksikë – që janë automatikisht të kualifikuara. Skuadra të forta nga Azia, Afrika, Amerika e Jugut dhe Oqeania kanë vulosur pjesëmarrjen. Nga UEFA, vetëm Anglia ka siguruar kualifikimin, ndërsa Europa mban 16 vende direkte në total.

Shorti i fazës finale mbahet më 5 dhjetor 2025 në Qendrën Kennedy në Uashington, ku 42 nga 48 ekipet do të jenë të njohura. Gjashtë të fundit plotësohen nga playoff-et globale në mars 2026. Ndërkohë, shorti i playoff-eve zhvillohet në Zyrih më 20 nëntor, duke përcaktuar sfidat për skuadrat që do të luftojnë për gjashtë vendet e fundit.

Kupa e Botës 2026, që zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Kanada dhe Meksikë, do të jetë turneu më i madh në histori me 48 ekipe dhe më shumë ndeshje, spektakël dhe konkurrencë se kurrë më parë.

Ndaj Postimin: