Skuadra e vajzave të Lushnjes zhvilloi ndeshjen e tretë në kampionatin kombëtar, duke sjellë emocion dhe entuziazëm në fushën sportive të Plukut.
Në fushën e Plukut këtë të shtunë u zhvillua ndeshja e tretë për ekipin e vajzave të futbollit të Lushnjes, që u përball me skuadrën SK Atletik nga Shkodra. Takimi ishte pjesë e kampionatit kombëtar të futbollit për vajza dhe solli një atmosferë të gjallë, me mbështetje të madhe nga sportdashësit lushnjarë.
Për vajzat lushnjare, ky ishte një tjetër hap përpara në ndërtimin e një ekipi të ri, që kërkon të konsolidohet në arenën kombëtare. Pavarësisht moshës së re të shumë prej lojtareve, përkushtimi dhe dëshira për të arritur sukses ishin të dukshme në çdo minutë të lojës.
Në këtë ngjarje sportive ishte i pranishëm gazetari Ndriçim Gjoshi dhe kamera e TV Apollon, të cilët sollën nga afër atmosferën e ndeshjes dhe intervistat me drejtuesit e skuadrës. Administratori i ekipit, Edison Koçi, foli për përparimin e skuadrës dhe sfidat që e shoqërojnë. Ai u bëri thirrje vajzave të reja të Lushnjes të afrohen me klubin dhe të ndjekin pasionin për futbollin.
“Ky ekip është një familje që po rritet çdo ditë. Kërkojmë talente të reja që e duan sportin dhe duan të përfaqësojnë qytetin tonë me dinjitet,” u shpreh Koçi, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së komunitetit dhe institucioneve lokale.
Mesfushorja lushnjare, Megi Ibrahilika, e cila ka më shumë se dhjetë vite në fushat e gjelbra, ndau emocionet e saj për këtë rrugëtim. “Futbolli për mua është pasion dhe mënyrë jetese. Dua të shoh sa më shumë vajza që marrin guximin të futen në këtë botë të bukur sporti,” tha ajo me entuziazëm.
Pas ndeshjes, gazetari Ndriçim Gjoshi intervistoi trajnerin e SK Atletik Shkodër, Robert Karma, i cili vlerësoi përpjekjet për zhvillimin e futbollit të femrave në vend. Ai nënvizoi se vajzat meritojnë më shumë hapësira dhe mbështetje, për të ndërtuar ekipe të forta që përfaqësojnë me dinjitet qytetet e tyre.
Edhe portierja shkodrane, Rajmonda Geshtenja, foli me emocion për dashurinë ndaj sportit. “Futbolli nuk është vetëm lojë, është mënyrë për të shprehur veten dhe për të ndërtuar karakter. Ne jemi krenare që përfaqësojmë Shkodrën dhe vajzat shqiptare në këtë rrugëtim të bukur,” u shpreh ajo.