Futbolli dhe media, në një bashkëpunim të pandarë për pasqyrimin e sportit shqiptar

Në Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, Presidenti Armand Duka dhe FSHF u shprehin mirënjohjen të gjithë gazetarëve që i japin zë sportit shqiptar me profesionalizëm dhe përkushtim.

Federata Shqiptare e Futbollit ka uruar sot të gjithë gazetarët sportivë në vend, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, duke theksuar rolin kyç që ata luajnë në promovimin e sportit dhe sidomos futbollit në Shqipëri. Urimi është shoqëruar me një mesazh të veçantë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Presidenti Duka ka shprehur vlerësimin maksimal për komunitetin mediatik sportiv, duke e konsideruar punën e tyre si një urë të fortë që lidh sportin me publikun. Ai theksoi se puna e gazetarëve nuk është thjesht informim, por një mision që lidhet ngushtë me pasionin dhe përkushtimin për të sjellë emocionet e sportit te çdo qytetar.

“Gazetarët sportivë janë pjesë e pandarë e rrugëtimit të futbollit. Me punën tuaj të përditshme, emocionet e këtij sporti nuk mbeten vetëm në stadiume, por mbërrijnë në çdo cep të vendit dhe më gjerë. Ju falënderoj për përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj”, u shpreh Duka në deklaratën e tij.

Ai theksoi se, ashtu si futbolli, edhe gazetaria sportive është një pasion që kërkon sakrificë, vëmendje dhe integritet profesional. Duka shtoi se zëri i futbollit shqiptar nuk do të kishte të njëjtën jehonë pa kontributin e gazetarëve.

FSHF, në këtë ditë të veçantë, e konsideron median sportive si një faktor vendimtar për zhvillimin e futbollit, duke vlerësuar rolin e saj në përhapjen e informacionit, analizën objektive dhe ndikimin në rritjen e interesit për sportin.

Ky bashkëpunim mes sportit dhe medias mbetet një partneritet thelbësor që duhet ruajtur dhe përforcuar, për një pasqyrim edhe më të denjë të arritjeve dhe sfidave në fushën e sportit.

Në përfundim të mesazhit, Presidenti Duka uroi: “Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë! Le të vazhdojmë së bashku për të çuar futbollin shqiptar përpara!”

Ndaj Postimin: