Fushata për lirimin e hapësirave publike shtrihet në Tiranë pas ndërhyrjes në Vlorë

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha inspektoi nga afër ndërhyrjet për lirimin e trotuareve në kryeqytet, duke paralajmëruar tolerancë zero për zaptuesit e hapësirave publike.

Pas ndërhyrjes në qytetin e Vlorës, aksioni për çlirimin e hapësirave publike ka mbërritur edhe në Tiranë. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, bashkë me drejtues të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit, inspektuan disa zona kyçe të kryeqytetit, përfshirë bulevardin “Zogu i Parë”, Pazarit e Ri, zonën pas Muzeut Kombëtar dhe kompleksin pranë ‘21 Dhjetorit’.

Ky operacion është pjesë e një fushate të gjerë kombëtare për kthimin e hapësirave publike qytetarëve. Qëllimi është të rivendoset rendi urban dhe të ndalohet uzurpimi i trotuareve apo shesheve që i përkasin komunitetit. Ministri Hoxha deklaroi se aksioni nuk do të ndalet derisa ligji të zbatohet plotësisht në çdo cep të qytetit.

“Asnjë subjekt nuk ka të drejtë të pushtojë hapësira që i takojnë publikut. Strukturat tona do të vazhdojnë pa kompromis me zbatimin e ligjit, në funksion të interesit të përbashkët,” deklaroi Hoxha gjatë inspektimit në terren. Ai shtoi se subjektet që shkelin rregullat duhet t’i lirojnë vullnetarisht hapësirat, për të kontribuar në një mjedis më të rregullt dhe të jetueshëm për të gjithë.

Reagimet pozitive nuk kanë munguar. Disa pronarë biznesesh kanë nisur të heqin vetë strukturat e vendosura në mënyrë të paligjshme, duke përshëndetur nismën për kthimin e hapësirave publike në funksion të qytetarëve. Ky reflektim është parë si një sinjal inkurajues për vijimin e operacionit pa përplasje të panevojshme.

Ministri shprehu mirënjohjen e tij për punonjësit e strukturave të përfshira, të cilët ndonëse në temperatura të larta, kanë qëndruar në terren për të garantuar zbatimin e vendimeve. Po ashtu, ai falënderoi qytetarët që kanë mbështetur këtë fushatë për më shumë rregull dhe bashkëjetesë urbane.

Me këtë hap, qeveria sinjalizon se fushata për lirimin e hapësirave publike do të vijojë pa ndërprerje edhe në qytete të tjera të vendit, si pjesë e një angazhimi për një Shqipëri më të pastër, më të organizuar dhe më të drejtë.

Ndaj Postimin: