Në prag të ndërrimit të viteve, Partia Socialiste e Tiranës ka zhvilluar ceremoninë festive të fundvitit në Pallatin e Brigadave, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, së bashku me drejtuesit politikë dhe strukturat e partisë në kryeqytet.
Në aktivitet morën pjesë anëtarë të kabinetit qeveritar, bashkëdrejtuesit e qarkut Tiranë, Blendi Gonxhe dhe Ogerta Manastirliu, si dhe përfaqësues të strukturave drejtuese dhe të rinj socialistë. Ceremonia u shoqërua me mesazhe urimi për vitin e ri dhe reflektime mbi punën e kryer gjatë vitit që po mbyllet.
Megjithatë, vëmendje tërhoqi mungesa e disa figurave të rëndësishme të Partisë Socialiste, mes tyre Pandeli Majko, Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Arben Pëllumbi, Ermonela Felaj, Etjen Xhafaj, Mimi Kodheli dhe Plarent Ndreca. Po ashtu, në aktivitet nuk ishte e pranishme as zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim nga SPAK.
Gjatë fjalës së saj, Ogerta Manastirliu uroi një vit të ri me shëndet dhe mbarësi, duke theksuar nevojën për optimizëm dhe energji pozitive për qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.
Në mesazhin e publikuar pas aktivitetit, kryeministri Rama shprehu mirënjohje për punën dhe angazhimin e çdo anëtari dhe aktivisti të Partisë Socialiste, duke nënvizuar besimin tek forca dhe vazhdimësia e kësaj familjeje politike në vitin që vjen.