Fund tarifave roaming? BE hap derën për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në “Roam Like at Home”

Komisioni Evropian ka propozuar nisjen e negociatave me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për përfshirjen e tyre në regjimin e Bashkimit Evropian “Roam Like at Home”, që nënkupton heqjen e tarifave shtesë të roaming-ut.

Ky program i BE-së u mundëson përdoruesve të telefonisë mobile të përdorin telefonin në shtetet e tjera anëtare me të njëjtat tarifa si në vendin e tyre. Në praktikë, kjo do të thotë se gjatë qëndrimit në zonën e Bashkimit Evropian nuk aplikohen tarifa shtesë për thirrje, mesazhe SMS dhe përdorim të internetit.

Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se kostot e roaming-ut mbeten problem për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht për punëtorët që jetojnë jashtë vendit dhe familjet që komunikojnë ndërkufitar. Sipas saj, faturat e papritura gjatë udhëtimeve janë një praktikë që Bashkimi Evropian nuk e pranon më, ndërsa propozimi aktual synon përfshirjen e rajonit në të njëjtin regjim.

Për të nisur negociatat, Komisioni Evropian kërkon miratimin e Këshillit të BE-së. Pas miratimit, do të zhvillohen marrëveshje dypalëshe me secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm pas përmbylljes së këtyre marrëveshjeve dhe harmonizimit të plotë me legjislacionin e BE-së për roaming-un, vendet e rajonit do të mund të bëhen pjesë e zonës “Roam Like at Home”.

Rregullorja u iniciua në qershor 2017 dhe zbatohet për shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e Zonës Ekonomike Evropiane. Në janar të këtij viti, ajo u zgjerua edhe për Ukrainën dhe Moldavinë.

Aktualisht, nuk ka një afat të konfirmuar për zbatimin e mundshëm në Ballkanin Perëndimor. Sipas zyrtarëve të Komisionit Evropian, procesi varet nga përgatitja e secilit vend për të përmbyllur marrëveshje dypalëshe dhe për të harmonizuar plotësisht legjislacionin përkatës.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Ricardo Cardoso, e cilësoi procesin si të ndërlikuar, duke theksuar se afatet kohore varen nga gatishmëria e partnerëve në rajon për të përmbushur kërkesat ligjore dhe institucionale.

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut – synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kosova mbetet vendi i vetëm që nuk ka statusin e kandidatit, megjithëse ka aplikuar për anëtarësim në fund të vitit 2022.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033