FSHF diskuton me klubet ndryshimin e formatit Final 4 në Abissnet Superiore

Në një takim me drejtuesit e klubeve u shqyrtua mundësia e përmirësimit të fazës përfundimtare për të rritur rivalitetin dhe shikueshmërinë e kampionatit

Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi një takim konsultues me drejtuesit e klubeve të “Abissnet Superiore”, për të diskutuar mbi skemën aktuale të “Final 4” dhe mundësitë për përmirësimin e saj në aspektin sportiv dhe komercial.

Takimi u mbajt në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe kishte në fokus rishikimin e formatit aktual, me synimin për të rritur rivalitetin, emocionin dhe cilësinë e fazës finale të kampionatit më të lartë të futbollit në vend.

Departamenti i Garave prezantoi një propozim të ri, i cili synon ta bëjë përfundimin e sezonit më dinamik dhe më tërheqës për tifozët, klubet dhe partnerët televizivë. Objektivi është krijimi i një produkti më konkurrues dhe me impakt të zgjeruar mediatik.

Përveç aspektit sportiv, u diskutuan edhe dimensionet komerciale që ky ndryshim do të sillte, me theks të veçantë në rritjen e interesit të publikut dhe shtimin e mundësive për të ardhura për klubet pjesëmarrëse.

Pjesëmarrësit ndanë mendimet e tyre për opsionet e propozuara dhe dhanë sugjerime për formatin më optimal që do të përfaqësonte më mirë interesat e garës dhe të investimeve që bëhen në kampionat.

Në fund të takimit u bë e qartë se vendimi përfundimtar mbi ndryshimin e mundshëm të skemës do të merret në një moment të dytë, pas vlerësimit të komenteve dhe propozimeve të palëve të përfshira.

FSHF konfirmoi angazhimin e saj për të përmirësuar vazhdimisht organizimin e kampionatit dhe për të garantuar një garë të ndershme, cilësore dhe tërheqëse për të gjitha palët e interesuara.

Ndaj Postimin: