Fshati turistik i Zvërnecit në harresë mes vapës dhe mungesës së ujit

Banorët e Zvërnecit në Vlorë vijojnë të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm prej më shumë se dy muajsh, ndonëse fshati është pjesë e 100 destinacioneve turistike të shpallura nga qeveria.

Në kulmin e verës dhe të sezonit turistik, banorët e fshatit Zvërnec në Vlorë përballen me mungesën e vazhdueshme të ujit të pijshëm, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi. Pavarësisht premtimeve të përsëritura nga autoritetet, asnjë zgjidhje konkrete nuk është ofruar për këtë problem që tashmë po rëndon rëndë jetesën e tyre.

Situata mbetet e pandryshuar prej më shumë se dy muajsh. Ujësjellësi nuk arrin të sigurojë furnizim të rregullt, ndërsa faturat vijojnë të mbërrijnë në adresat e banorëve. Ironikisht, fshati që promovuar si destinacion turistik, nuk arrin të sigurojë as nevojat bazë për banorët vendas.

Shqetësimet janë të shumta dhe të përsëritura. Banorët, megjithëse flasin jashtë kamerave, nuk fshehin zhgënjimin. Ata thonë se jeta në fshat është bërë thuajse e pamundur. “Përveç ujit, gjithçka tjetër do ta përballonim,” thotë një i moshuar. “Por kështu nuk jetohet. Nuk ka ujë në rubinet, as për të pirë, as për të larë.”

Premtimet për rrjet të ri ujësjellësi janë bërë vazhdimisht ndër vite, por asnjë projekt nuk është zbatuar. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rënien e turizmit. Pushuesit që kanë prenotuar, janë larguar menjëherë, ndërsa të rinjtë që kthehen nga emigrimi, e braktisin fshatin për të njëjtën arsye: mungesa e ujit në shtëpi.

Në kushte normale, Zvërneci duhej të ishte një nga perlave turistike të Vlorës, por në mungesë të infrastrukturës minimale, siç është uji i pijshëm, fshati po boshatiset. Banorët tregojnë se kanë mbetur kryesisht të moshuarit dhe ndonjë turist rastësor.

Edhe pse pritej që ky sezon të sillte zhvillim, mungesa e furnizimit me ujë ka lënë një gjurmë të thellë zhgënjimi. Autoritetet nuk kanë reaguar, ndërsa televizionet lokale si Apollon kanë dokumentuar përmes kamerave situatën alarmante në familjet e fshatit.

Deri më sot, premtimet për furnizim të qëndrueshëm me ujë kanë mbetur fjalë boshe. Banorët shpresojnë ende, por çdo ditë që kalon pa zgjidhje, vetëm e thellon më shumë harresën ndaj këtij fshati turistik të Shqipërisë.

Ndaj Postimin: