Këto pamje vijnë drejtpërdrejt nga fshati Ferras, ku shumë familje ndodhen nën pushtetin e ujit pas daljes nga shtrati të lumit Vjosë. Sipas banorëve, kjo përmbytje nuk është vetëm pasojë e reshjeve intensive, por edhe e mungesës së pastrimit të kanaleve kulluese dhe ndërtimit të një argjinature mbrojtëse, e cila mungon prej vitesh.
Gjatë xhirimeve të TV Apollon me gazetarin Ndriçim Gjoshi, në terren ndodheshin edhe përfaqësues të emergjencave civile, të cilët po verifikonin dëmet e shkaktuara në banesa, toka bujqësore dhe bagëti. Megjithatë, banorët shprehen të zhgënjyer, duke thënë se shpresat për ndërhyrje institucionale janë thuajse të shuara, pasi ndihma u mungoi edhe gjatë përmbytjeve të mëparshme.
Ata i drejtohen vetëm Zotit, ndërsa uji vazhdon të mbetet nëpër shtëpi e ferma e biznese.