Franca nën alarm: vjedhje spektakolare në muzeun e Diderot pas grabitjes në Luvër

Pas grabitjes në Luvër, një tjetër muze francez është goditur rëndë, mbi 1,900 monedha ari dhe argjendi janë vjedhur nga “Maison des Lumières Denis Diderot” në Langres.

Franca po përballet me një valë të re grabitjesh që trondit sistemin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Pas skandalit të vjedhjeve në Muzeun e Luvrit, autoritetet kanë konfirmuar një tjetër incident alarmant në qytetin Langres, në verilindje të vendit. Këtë herë, objektivi ishte muzeu “Maison des Lumières Denis Diderot”, një qendër e rëndësishme historike kushtuar epokës së Iluminizmit.

Sipas hetimeve të para, grabitja ndodhi gjatë natës së së dielës, kur muzeu ishte i mbyllur për shkak të festave lokale. Autorët, të cilët dyshohet se vepruan në mënyrë të koordinuar, thyen derën kryesore dhe shkatërruan një vitrinë që ruante një pjesë të koleksionit të çmuar të monedhave.

Në total, u vodhën 1,633 monedha argjendi dhe 319 monedha ari, pjesë e një koleksioni historik që daton nga vitet 1790–1840. Ky “thesar” ishte zbuluar rastësisht gjatë rinovimit të ndërtesës në vitin 2011 dhe konsiderohej një nga pasuritë më të vlefshme të muzeut.

Autoritetet franceze po e trajtojnë ngjarjen si grabitje të organizuar dhe të planifikuar me kujdes, duke mos përjashtuar mundësinë e një rrjeti që synon muzetë me objekte historike të çmuara. Policia ka nisur hetimet në bashkëpunim me njësitë e specializuara për trafik të veprave të artit.

Për momentin, nuk ka raportime për dëmtime të veprave të tjera apo humbje të objekteve artistike, por muzeu do të qëndrojë i mbyllur për një periudhë të pacaktuar. Bashkia e Langres ka njoftuar se godina do të ruhet nga një kompani private sigurie për të shmangur incidente të tjera.

Kjo ngjarje shton presionin mbi autoritetet kulturore franceze, të cilat përballen me një sërë kritikash për mungesë të sigurisë në institucionet muzeale. Në një vend që krenohet me trashëgiminë e tij, grabitjet e tilla po kthehen në një plagë që rrezikon të errësojë imazhin e kulturës franceze.

Ndaj Postimin: