Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore me rastin e 106-vjetorit të Javës së Kongresit Kombëtar të Lushnjës, Bashkia Lushnjë ka organizuar gjatë ditës së enjte një sërë veprimtarish kulturore dhe historike.
Një ndër aktivitetet më të veçanta ishte fotoekspozita “Lushnja sportive e shekullit XX”.
Ekspozita u çel nga mësuesi, trajneri, promovuesi i sportit dhe autori i disa librave mbi historikun sportiv të qytetit, z. Vergjil Xhafa, i cili prej vitesh kontribuon në dokumentimin e sportit lushnjar. Nëpërmjet arkivës së pasur fotografike, ekspozita sjell momente të rëndësishme dhe figura emblematike të sportit në Lushnjë përgjatë shekullit XX.
Fotoekspozita u vizitua nga qytetarë sportdashës, intelektualë dhe personalitete të jetës kulturore të qytetit të Kongresit. Pjesë e vizitës ishte edhe kryetarja e Bashkisë Lushnjë, znj. Eriselda Sefa, e shoqëruar nga nënkryetarja e bashkisë, znj. Maldrita Bardho.
Në një intervistë ekskluzive për TV Apollon, z. Vergjil Xhafa u shpreh se kjo ekspozitë synon të ndërthurë historinë e sportit me kujtesën kolektive të qytetit, duke evidentuar vlerat, sakrificat dhe bukurinë e sportit lushnjar. Sipas tij, vendosja e ekspozitës në ambientet e Muzeut Historik të Lushnjës i jep një domethënie të veçantë këtij aktiviteti, pikërisht në këtë përvjetor të rëndësishëm për qytetin.
Fotoekspozita mbetet një homazh për sportistët dhe kontributin e tyre, si dhe një pasqyrë e historisë sportive të Lushnjës në 106-vjetorin e Kongresit Kombëtar.