Në Rripin e Gazës, foshnjat vdesin nga uria, ndërsa nënat shikojnë të pafuqishme shuarjen e fëmijëve të tyre për shkak të mungesës së ushqimit dhe qumështit artificial.
Sela Majdi Barbakh, vetëm 11 muajshe, kishte trupin e një foshnjeje të uritur për javë të tëra. Ajo peshonte vetëm 3.6 kilogramë, ndërkohë që duhej të ishte dyfishi. Në vend të një të qeshure, buzët i kishte të zbehta dhe të lodhura. Nëna e saj, Najah Hashem Barbakh, tregoi se e çoi vajzën në spitalin e Khan Younis pasi nuk kishte më as ushqim dhe as ujë për t’i dhënë. Ajo shtoi se në të njëjtën dhomë, katër fëmijë të tjerë kishin vdekur nga uria.
Mjekët në Spitalin Nasser po përballen me një situatë tragjike. Dr. Ahmad Al-Fara tha se Sela kishte humbur çdo gram muskul e yndyrë dhe se trupi i saj ishte vetëm “lëkurë mbi kockë”. Ajo vuante nga mungesë e theksuar e vitaminës D dhe hekurit, duke e rrezikuar jetën çdo orë.
Situata në Gaza është bërë alarmante. Vetëm në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, kanë humbur jetën nëntë persona nga uria, duke e çuar në 122 numrin total të viktimave që nga nisja e luftës. Prej tyre, 83 janë fëmijë. Ndërkohë, të dhënat e reja tregojnë se 9% e fëmijëve në Gaza janë në gjendje të rëndë të kequshqyerjes.
Organizata e Kombeve të Bashkuara raportoi se që nga janari janë ulur ndjeshëm lindjet në Gaza — nga 29 mijë në vitin 2022, në vetëm 17 mijë këtë vit. UNFPA bëri me dije se 33% e foshnjave lindin para kohe, në peshë shumë të ulët, ose kanë nevojë për trajtim intensiv. Në shumë raste, fëmijët nuk i mbijetojnë as 24 orëve të para të jetës.
Në të njëjtin spital, një tjetër nënë, Naglaa Waleed Abou Aia, rrëfeu për NBC News se vajza e saj 5 muajshe, Ramaa, kishte mbetur në të njëjtën peshë që nga lindja, vetëm 2.7 kilogramë. Ashtu si shumë nëna të tjera, ajo nuk kishte më asnjë mënyrë për të ushqyer fëmijën, sepse edhe ajo vetë vuante nga uria.
Ndërkohë, një infermiere amerikane që po ndihmonte në spital, Elidalis Burgos, tregoi se kishte parë personalisht ushtarë izraelitë që hidhnin qumështin artificial që u sillte ekipi ndërkombëtar i ndihmës. Ajo u shpreh e dëshpëruar se ndihmat nuk lejoheshin të hynin, dhe se fëmijët vdisnin pa pasur as një shans për të jetuar.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite mohoi këto akuza, duke pretenduar se nga maji e deri më tani kanë lejuar hyrjen e 2,500 tonëve me qumësht foshnjash. Por Kombet e Bashkuara e mohojnë këtë version, duke fajësuar Izraelin për dështimin e shpërndarjes së ndihmave.
Ndërsa Sela dhe mijëra fëmijë të tjerë luftojnë për jetën, nëna e saj Najah thotë se mund të durojë pa ngrënë, por jo vajza e saj. “I them vetes çdo ditë: Unë mund të vuaj, por fëmijët e mi jo,” rrëfen ajo me sytë në lot.


