Një foshnje e porsalindur ndërroi jetë pas disa ditësh, ndërsa prindërit ngrejnë pretendime për neglizhencë mjekësore nga mjeku përgjegjës. Hetimet mbi rastin kanë nisur që nga kallëzimi i bërë në polici.
Një ngjarje tragjike ka tronditur maternitetin “Koço Gliozheni”, ku një foshnje e porsalindur ka humbur jetën pak ditë pas lindjes. Prindërit e saj kanë ngritur akuza për neglizhencë ndaj mjekut Kastriot Dallaku, i cili ishte në turn gjatë kohës kritike të shtatzënisë. Ata kanë depozituar kallëzim penal në Komisariatin Nr. 1, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas pretendimeve të babait 34-vjeçar, familja ka ndjekur me përpikëri të gjitha kontrollet rutinë deri në ditët e fundit të shtatzënisë. Por, të premten e kaluar, gruaja filloi të ndjente mungesë lëvizjeje nga foshnja. Pas një konsultimi me mjekun që ndjekte shtatzëninë, u këshilluan të shkonin për kontroll në spital.
Në këtë moment në turn ishte mjeku Kastriot Dallaku. Ai kreu një grafi të shkurtër për të kontrolluar rrahjet e zemrës së fetusit dhe u sigurua prindërve se foshnja ishte në gjendje të mirë. Mjeku rekomandoi që ata të ktheheshin në shtëpi, pa kryer kontrolle shtesë.
Babai i foshnjes pretendon se i kërkoi mamisë të kontrollonte edhe ujin amniotik, pasi ndjente që diçka nuk shkonte mirë, por kjo shqetësim nuk u mor parasysh nga stafi mjekësor. Situata u rëndua të shtunën, kur nëna pësoi temperaturë të lartë dhe u rikthye në spital. Brenda disa minutash u krye lindja me operacion, por foshnja erdhi në jetë në gjendje kritike.
E porsalindura u intubua menjëherë dhe u transferua në reanimacion, por pavarësisht përpjekjeve intensive të mjekëve, ajo ndërroi jetë të hënën për shkak të insuficiencës multiorganore. Policia dhe prokuroria tashmë po hetojnë rrethanat e ngjarjes për të përcaktuar përgjegjësitë dhe nëse është shkelur ndonjë protokoll mjekësor gjatë trajtimit.