Forca ushtarake amerikane drejt Gjirit Persik, Trump paralajmëron Iranin dhe nis USS Abraham Lincoln

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se Uashingtoni po monitoron nga afër çdo lëvizje të tij, duke bërë të ditur se forca të rëndësishme ushtarake amerikane janë në lëvizje drejt rajonit të Lindjes së Mesme.

Deklarata e Trump vjen në një klimë tensioni të shtuar, pas protestave të dhunshme dhe paralajmërimeve të mëhershme se SHBA do të reagojë nëse sulmohen civilë apo tubime paqësore. Gjatë një deklarate për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, gjatë kthimit nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, Trump theksoi se Irani është nën vëzhgim të vazhdueshëm.

“Kemi një flotilje të madhe që po shkon në atë drejtim. Do të shohim se çfarë ndodh. Kemi një forcë të madhe që po lëviz drejt Iranit. Do të preferoja të mos ndodhte asgjë, por ne po i vëzhgojmë nga afër”, deklaroi Trump.

Lëvizjet ushtarake të përmendura nga presidenti amerikan mbështeten edhe nga zhvillime konkrete në terren. Së fundmi, avionë luftarakë amerikanë F-15 Strike Eagle kanë mbërritur në Jordani, si pjesë e një përgatitjeje më të gjerë strategjike në rajon. Paralelisht, Grupi i Sulmit i aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, i pajisur me avionë luftarakë dhe bombardues, është nisur nga Deti i Kinës Jugore dhe po lëviz drejt Gjirit Persik.

Trump theksoi se preferon shmangien e një përshkallëzimi të situatës, por konfirmoi se dërgimi i këtyre kapaciteteve ushtarake shërben si masë paralajmëruese dhe demonstrim force. Ai nënvizoi se përdorimi i ushtrisë nuk është i dëshirueshëm, por mbetet një opsion nëse situata e bën të domosdoshme një reagim ushtarak.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033