Fluksi i Virozave në Fier: Dyfishohet numri i vizitave ditore në Spitalin Rajonal

Ditët e para të janarit, të shoqëruara me luhatje të ndjeshme temperaturash, kanë sjellë një rritje të konsiderueshme të rasteve me viroza respiratore në Spitalin Rajonal të Fierit.

Sipas shefit të urgjencës, Klodian Goga, numri i vizitave ditore është dyfishuar, duke arritur deri në 150 raste në 24 orë. Grupmoshat më të prekura janë ato nga 14 vjeç e lart, ndërsa simptomat e shfaqura janë të lehta dhe nuk lidhen me virusin e ri.

Në një deklaratë për mediat, Goga theksoi se krahas rasteve të virozave, janë paraqitur edhe pacientë që vuajnë nga mbingarkesa ushqimore pas festave të fundvitit. Disa prej tyre kanë pasur nevojë për trajtim spitalor, duke shtuar presionin mbi stafin mjekësor në këtë periudhë të ngarkuar.

“Ka pasur raste që kanë kërkuar shtrim në spital për shkak të ndërlikimeve nga virozat apo nga abuzimi me ushqimin gjatë festave,” deklaroi Goga.

Situata komplikohet më tej nga mungesa e mjekëve në Spitalin Rajonal të Fierit. Aktualisht, dy mjekë janë pezulluar nga prokuroria, ndërsa një tjetër ndodhet jashtë detyrës për arsye shëndetësore. “Kjo mbingarkesë po përballohet me shumë vështirësi,” shtoi Goga, duke vlerësuar ndihmën e mjekëve të familjes që janë angazhuar për të plotësuar nevojat e qytetarëve.

Për të lehtësuar fluksin në spital, Goga bëri thirrje që pacientët me simptoma të lehta të drejtohen fillimisht te mjekët e familjes. “Në këtë periudhë virozash, kur imuniteti i njerëzve është i dobësuar, është e rëndësishme që pacientët të mos e mbingarkojnë spitalin për raste që mund të trajtohen në qendra shëndetësore,” apeloi ai.

Megjithëse situata paraqitet sfiduese, stafi i Spitalit Rajonal të Fierit vazhdon të japë maksimumin për të përballuar fluksin e pacientëve dhe për të ofruar shërbimin e nevojshëm në një kohë kur virozat janë në kulmin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera