Në nisje të vitit 2026, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës po regjistrohet fluks i shtuar i lëvizjeve në drejtim të Greqisë, ndërsa emigrantët shqiptarë po rikthehen në vendet e punës pas përfundimit të festave të fundvitit.
Sipas Policisë Kufitare, gjatë 24 orëve të fundit përmes doganës së Kakavijës kanë kaluar drejt Greqisë 6 022 persona dhe 2 049 automjete.
Për të përballuar fluksin, Policia Kufitare e Kakavijës ka punuar me pesë sportele për përpunimin e dokumentacionit, duke shmangur radhët e gjata dhe vonesat në lëvizje.
Emigrantët që udhëtojnë drejt Greqisë shprehen se pritja në kufi është e përballueshme. “Kemi rreth 10 minuta që presim, kishim ardhur për festa në Shqipëri dhe i kaluam shumë bukur”, u shpreh një prej tyre. Një tjetër qytetar tha se kishte rreth gjysmë ore që po priste dhe se radha po ecte normalisht.
Ndërkohë, autoritetet njoftojnë se gjatë ditës së sotme fermerët grekë pritet të rikthejnë bllokadat në rrugën kombëtare Kakavijë–Janinë. Sipas njoftimit nga pala greke, aksi rrugor do të bllokohet nga ora 19:00 deri në 22:00, sipas orës greke, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, për shkak të protestës së fermerëve.