Fleta e votimit për zgjedhjet e 9 nëntorit

KQZ ka publikuar modelin përfundimtar të fletës së votimit dhe renditjen e kandidatëve për kryetar bashkie në pesë bashki ku do të zhvillohen zgjedhje më 9 nëntor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publik modelin zyrtar të fletës së votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore që pritet të zhvillohen më 9 nëntor. Këto zgjedhje do të mbahen në pesë bashki të vendit: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.

Publikimi i fletës së votimit shënon fazën e fundit të përgatitjeve zyrtare, duke përcaktuar renditjen e kandidatëve në garë për postin e Kryetarit të Bashkisë. Renditja është bërë sipas rregullave të përcaktuara nga KQZ dhe në bazë të shortit sipas praktikave ligjore në fuqi.

KQZ gjithashtu u ka dërguar udhëzime bashkive ku zhvillohen zgjedhjet, për marrjen e masave të plota organizative në qendrat e votimit. Kjo përfshin garantimin e kushteve funksionale, dhe logjistike.

Një vëmendje e veçantë u kërkua të vihet për personat me aftësi të kufizuara, për të siguruar që procesi i votimit të jetë i realizueshëm dhe i barabartë për çdo qytetar që dëshiron të ushtrojë të drejtën e tij.

Sipas KQZ, listat përfundimtare të kandidatëve tashmë janë konfirmuar dhe çdo material zgjedhor do të shpërndahet pranë qendrave të votimit sipas afateve të përcaktuara.

Zgjedhjet e 9 nëntorit konsiderohen një test i rëndësishëm lokal, pasi disa prej bashkive kanë qenë të drejtuara nga administratorë të komanduar, pas largimeve apo dorëheqjeve të kryetarëve më parë.

Institucioni nënvizon nevojën për një proces të qetë, transparent dhe të mbikëqyrur nga komisionerë të trajnuar, ndërsa thërret qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shprehin votën e tyre në mënyrë të lirë.

Në ditët në vijim, KQZ pritet të publikojë edhe fushatat informuese për mënyrën e votimit, me qëllim orientimin dhe shmangien e çdo keqkuptimi gjatë ditës së procesit elektoral.

Ndaj Postimin: