Flamurtari kërkon fitoren e parë sezonale ndaj Vorës në Laç, nën drejtimin e trajnerit Garsia që ka sjellë risi dhe ritëm në stërvitje.
Flamurtari do të zbresë në fushë të dielën në stadiumin e Laçit, ku në orën 16:00 do të përballet me Vorën. Vlonjatët janë ende në kërkim të fitores së parë dhe kjo ndeshje shihet si një “finale” e vërtetë për skuadrën kuqezi. Atmosfera në kamp është intensive dhe e mbushur me seriozitet, por edhe me humor që mban lartë moralin e lojtarëve.
Seanca stërvitore është zhvilluar në fushën e Pyllit të Sodës, ku futbollistët u paraqitën të organizuar, por me automjete private. Detaj interesant ishte uniforma ndryshe e stafit teknik, blu e bardhë, krahasuar me kuqezinjtë e lojtarëve. Përgatitësi atletik Anibal Gonzales ishte i pari që mori kontrollin e seancës, duke kërkuar intensitet dhe shpejtësi.
Fillimisht u zhvilluan ushtrime fizike me kronometër, të ndjekura nga veprimet me topin në mesfushë. Më pas, trajneri Karlos Garsia vendosi t’i testonte lojtarët para portës. Të parët që u vunë në provë ishin Ramirez, Skuadrone, Oshafi dhe Rodriguez, ndërsa më pas iu bashkuan edhe pjesa tjetër e ekipit.
Një risi në këtë stërvitje ishte përdorimi i manekinëve plastikë në vend të lojtarëve. Këto elemente u zhvendosën nga trajneri në momente të ndryshme për të simuluar situata reale loje, duke e bërë seancën më dinamike. Pushimi u shfrytëzua nga ndihmësit Javier Visea dhe Gonzales, të cilët provuan disa goditje drejt portës, duke sjellë edhe më shumë energji pozitive në grup.
Pas pushimit, puna rifilloi me ritëm të lartë, ndërsa trajneri spanjoll qëndronte pranë futbollistëve, duke dhënë udhëzime konkrete. Stafi teknik shfaqte një qasje të qetë, të ulur këmbëkryq, por gjithmonë të përqendruar tek detajet e seancës.
Për ndeshjen e së dielës, Garsia do të ketë në dispozicion pjesën më të madhe të skuadrës. Megjithatë, dy mungesa janë të sigurta. Denis Pjeshka, që vuan nga një problem muskulor, nuk është stërvitur këtë javë, ndërsa Idriz Batha ende nuk ka kaluar dëmtimin në gju. Mesfushori po ndjek një program të veçantë rikuperimi nën mbikëqyrjen e Gonzales.
Flamurtari shkon në këtë sfidë me përgatitje serioze dhe me shpresën se përballë Vorës do të vijë fitorja e parë e shumëpritur e sezonit.