Flamurtari nuk bind kundër Bylisit

Trajneri Karlos Garsia kritikon mungesën e qëndrueshmërisë dhe kërkon përqendrim maksimal nga skuadra për të fituar ndeshjet e ardhshme

Trajneri i Flamurtarit, Karlos Garsia, pas barazimit 3-3 ndaj Bylisit ka folur hapur për zhgënjimin e tij. Ai theksoi se pavarësisht se ekipi arriti të marrë një pikë në transfertë, rezultati nuk ishte në nivelin e pritjeve të tij dhe të klubit.

“Në një ndeshje që shkon deri në 100 minuta, ka disa momente që më kënaqin, por duhet të jemi shumë më të qëndrueshëm. Ekipi u plotësua në ditët e fundit dhe po e ndërtojmë hap pas hapi. Ky rezultat nuk është i mjaftueshëm as për mua dhe as për skuadrën”, u shpreh trajneri.

Ai nënvizoi se mentaliteti i lojtarëve duhet të jetë gjithmonë fitues. Sipas tij, është e pranueshme të vuash kundër ekipeve të forta, por nuk mund të justifikohet barazimi kundër skuadrave që mbyllen në mbrojtje për pothuajse të gjithë ndeshjen. “Ne nuk mund të jemi të kënaqur me një pikë ndaj atyre që mbrohen për 88 minuta”, tha Garsia.

Tekniku spanjoll foli edhe për mënyrën e mbrojtjes, duke theksuar se skuadra pësoi gola të evitueshëm. “Me Elbasanin pësuam nga gabimet tona, sot prapë tre gola. Duhet të mbajmë balancë mes sulmit dhe mbrojtjes për të fituar. Nuk dua një futboll të shëmtuar, por një ekip që mbron duke shënuar”, theksoi ai.

Garsia kërkoi nga lojtarët të mos ulin ritmin gjatë ndeshjes dhe të tregojnë përqendrim maksimal. Ai pranoi se skuadra ka cilësi dhe lojtarë të mirë, por se puna në stërvitje duhet intensifikuar për të arritur objektivat.

Në fund, trajneri u ndal edhe tek vlerësimet e jashtme për skuadrën. “Vlerat e ‘Transfermarkt’ nuk vlejnë për mua, më interesojnë faktet që shoh në fushë. Gjërat nuk shkojnë gjithmonë siç duam, sepse duhet të stërvitemi më mirë. Megjithatë, jam i kënaqur me lojtarët që kam”, përfundoi Garsia.

Ky barazim la një shije të hidhur për Flamurtarin, që kërkon të tregojë më shumë forcë dhe vendosmëri në ndeshjet e ardhshme për të ruajtur ambiciet në kampionat.

Ndaj Postimin: