Pas pesë vitesh mungesë, Flamurtari rikthehet në Superiore dhe pritet të nënshkruajë në tetor një kontratë bashkëpunimi me Real Madridin.
Flamurtari i Vlorës ka rikthyer emocionet e futbollit elitar në qytet, duke nisur sot sezonin e ri në Superiore përballë Elbasanit në “Elbasan Arena”, në orën 20:00. Ky rikthim vjen pas pesë vitesh mungesë, një periudhë që administratori Sinan Idrizi e përshkroi si një “agjërim të gjatë” për klubin dhe tifozët.
Në një deklaratë para ndeshjes, Idrizi zbuloi se prej dy muajsh ka punuar intensivisht për të përgatitur jo vetëm rikthimin në elitë, por edhe një marrëveshje të madhe ndërkombëtare. Ai tha se në javën e parë të tetorit pritet të nënshkruhet një kontratë bashkëpunimi me Real Madridin, e cila do të përfshijë investim të plotë nga Flamurtari dhe menaxhim të plotë nga gjiganti spanjoll.
Idrizi theksoi se kjo lëvizje synon të rrisë nivelin e futbollit shqiptar, duke e parë si një hap strategjik për zhvillimin afatgjatë të klubit. Sipas tij, kontaktet me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, janë vendimtare për arritjen e kësaj marrëveshjeje.
Në lidhje me trajnerin Carlos Garcia, Idrizi e përshkroi si një figurë me profil të lartë profesional, duke theksuar se vendimi për ta sjellë në Vlorë u mor pas një bisede të shkurtër, por domethënëse. Ai nënvizoi se problemi nuk qëndron te gjuha që flasin lojtarët, por te mentaliteti dhe përkushtimi që ata tregojnë në fushë.
Duke kujtuar rënien e Flamurtarit nga kategoria katër vite më parë, Idrizi u shpreh se ajo periudhë ishte një leksion i rëndësishëm, duke shtuar se “uji është më i fortë se hekuri”, një metaforë për qëndrueshmërinë dhe përshtatjen ndaj sfidave.
Ai përfundoi duke thënë se, në këtë moment të historisë së klubit, modeli i trajnerit shqiptar është i ezauruar dhe se nevojitet një qasje e re, që do të udhëhiqet nga përvoja dhe standardet ndërkombëtare.


