Flakët përfshijnë dy shtëpi në Elbasan, zjarrfikësit luftojnë për 90 minuta me zjarrin

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë dy banesa në lagjen “Aqif Pasha” në Elbasan mesditën e së shtunës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por pa pasoja në njerëz.

Sipas informacioneve paraprake, njëra prej banesave ishte e pabanuar, ndërsa në tjetrën jetonte një person, ku dyshohet se ka nisur vatra e zjarrit.

Flakët u përhapën me shpejtësi dhe përfshinë çatitë e banesave, duke rrezikuar edhe objektet përreth. Për shuarjen e zjarrit u angazhuan katër mjete zjarrfikëse dhe 12 efektivë, ndërsa ndërhyrja zgjati rreth një orë e gjysmë.

Për arsye sigurie, energjia elektrike u stakua për disa minuta në të gjithë qytetin dhe Policia bllokoi qarkullimin e mjeteve në zonën e prekur.

Paraprakisht dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, ndërsa shkaqet e plota do të përcaktohen pas përfundimit të hetimeve nga specialistët e zjarrfikëses dhe Policia.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033