Një incident i rëndë me zjarr është regjistruar në orët e para të mëngjesit në fshatin Xhyrë, përgjatë aksit kombëtar Librazhd–Përrenjas, ku flakët kanë përfshirë një kioskë shërbimi dhe dy automjete të parkuara pranë saj.
Sipas të dhënave nga shërbimi zjarrfikës i Librazhdit, alarmi është dhënë rreth orës 03:29, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë dy mjete zjarrfikëse me 10 efektivë. Falë ndërhyrjes së shpejtë, zjarri u vu nën kontroll dhe u shmang përhapja e tij në objektet përreth.
Nga flakët u dogj plotësisht kioska në pronësi të shtetasit Skënder Gega, banor i fshatit Xhyrë, si dhe dy automjete të parkuara pranë saj. Ndërkohë, dy kioska të tjera dhe një automjet tjetër u shpëtuan pa u dëmtuar.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar, por hetimet paraprake kanë ngritur dyshime serioze për zjarrvënie të qëllimshme. Një nga automjetet e djegura rezulton të ketë targa greke dhe i përket një emigranti që ishte kthyer në zonë për festat e fundvitit.
Nga ngjarja nuk ka persona të lënduar. Policia e Shtetit ndodhej në vendngjarje dhe ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve.