Në prag të ndeshjes së rëndësishme ndaj Andorrës, trajneri Sylvinho ka përgatitur një ekip të fokusuar në ofensivë, duke pasur parasysh që Shqipëria është e detyruar të fitojë. Ky takim është një mundësi e shkëlqyer për të rikthyer besimin dhe për të siguruar një rezultat pozitiv në kuadër të kualifikimeve.
Për fat të mirë, trajneri ka në dispozicion të gjithë grupin, përfshirë dy mungesat e rëndësishme nga ndeshja me Anglinë, Ismajli dhe Marash Kumbulla, të cilët janë stërvitur pa probleme dhe janë të gatshëm për të luajtur.
Lajmi më i mirë për trajnerin është se Thomas Strakosha është gjithashtu gati, pas përmirësimit të plotë nga goditja që mori gjatë ndeshjes me Anglinë. Kjo e bën ekipin më të plotë dhe të përgatitur për të përballuar sfidën me Andorrën.
Megjithatë, përzgjedhja e formacionit nga Sylvinho mbetet një mister, pasi trajneri ka njoftuar se do të bëjë 2-3 ndryshime krahasuar me formacionin që u përdor ndaj Anglisë. Pritet që porta dhe mbrojtja të mos pësojnë ndryshime, por në mesfushë vetëm Kristjan Asllani ka garancinë e vendit të tij titullar. Medon Berisha mund të zëvendësojë Ramadanin, ndërsa Nedim Bajrami ka mundësinë të luajë si fantazist, duke zëvendësuar Laçin.
Një tjetër ndryshim i mundshëm pritet të ndodhi në sulm, ku Rey Manaj pritet të luajë nga minuta e parë në vend të Uzunit. Megjithatë, dyshimet mbeten në dy pozita të tjera sulmuese, ku Hoxha dhe Broja kanë fituar terren për të nisur në formacionin e parë. Pritet një ndeshje me ritëm të lartë, ku Shqipëria duhet të shfaqë forcën e saj sulmuese për të siguruar tre pikët e nevojshme.
Në këtë përballje, Shqipëria ka mundësinë të japë një mesazh të fortë për trajnerin Sylvinho, i cili kërkon një performancë të shkëlqyer nga ekipi, duke i besuar një konfigurim ofensive që mund të shërbejë për të arritur objektivin e fitores. Me këtë përbërje të fortë dhe motivim të lartë, kuqezinjtë janë të gatshëm të kalojnë testin dhe të rikthehen në rrugën e sukseseve.