Fisnik Asllani shkruan histori në tregun e transferimeve, vlerësohet me 30 milionë euro

Sulmuesi shqiptar Fisnik Asllani ka vendosur një rekord të ri në tregun e transferimeve, duke u vlerësuar me 30 milionë euro dhe duke u bërë futbollisti më i shtrenjtë i përfaqësueses së Kosovës deri më tani.

Rritja e vlerës së tij konsiderohet e jashtëzakonshme, pasi nga përditësimi i fundit ai ka shënuar një rritje prej 12 milionë eurosh. Ky progres lidhet drejtpërdrejt me paraqitjet e tij pozitive me Hoffenheim-in në Bundesligë, ku forma dhe ndikimi në lojë kanë qenë vendimtare.

Pas Asllanit, në listën e futbollistëve shqiptarë më të vlerësuar renditen Milot Rashica Zhegrova dhe Avdullahu, ndërsa në krye të futbollistëve të Kombëtares shqiptare vijon të qëndrojë Kristjan Asllani, me një vlerë tregu prej 13 milionë eurosh.

Në të njëjtën kohë, vihet re një rënie në vlerën e Armando Brojës, i cili më parë vlerësohej me 14 milionë euro, por aktualisht kuotohet me 10 milionë euro. Ndërkohë, futbollisti shqiptar me vlerën më të lartë në nivel global mbetet Ardon Jashari, i cili vlerësohet me 32 milionë euro.

Këto shifra pasqyrojnë lëvizjet e fundit në tregun e transferimeve dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të formës sportive në vlerësimin e futbollistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.

Ndaj Postimin: