Firmat piramidale dje dhe sot, nga Vefa tek XUEX

Mashtrimet e viteve ’90 dhe ato të vitit 2025 dëshmojnë se skemat piramidale ndryshojnë formë, por dëmi mbi qytetarët shqiptarë mbetet po aq shkatërrues.

Në vitet ’90, shqiptarët e rraskapitur nga varfëria u hodhën në kurthin e firmave piramidale si Vefa, Sudja, Gjallica apo Xhaferri. Këto struktura, të ndërtuara mbi mashtrim dhe premtime boshe, grumbulluan miliarda lekë nga qytetarë të thjeshtë që besonin se më në fund do të dilnin nga mjerimi. Në vend të pasurimit, ata humbën gjithçka, ndërsa vendi u zhyt në krizë ekonomike dhe politike që kulmoi me vitin e zi 1997.

Figura si Vehbi Alimuçaj apo Maksude Kadena, pa eksperiencë reale në ekonomi, u shndërruan në “bosë” të pasurisë së popullit. Me mbështetje të fshehtë politike dhe përfitime nga mungesa e institucioneve, ata e kthyen Shqipërinë në laboratorin e mashtrimit më të madh të Ballkanit. Në të njëjtën kohë, qytetarët e gënjyer prisnin me shpresë pas dyerve të zyrave të firmave, ndërsa “pronaret” jetonin në luks.

Sot, tre dekada më vonë, skenari përsëritet me emra të rinj dhe forma moderne. Në qendër të Lushnjes, Arbër Çela, i njohur si sponsor i ekipit të futbollit dhe pronar i një picerie, u shndërrua në “kokën” e një skeme të re piramidale të quajtur XUEX. Ashtu si dikur, edhe tani qytetarët u mashtruan me premtime për fitime marramendëse, këtë herë përmes investimeve në kriptomonedha.

Hetimet treguan se Çela dhe bashkëpunëtorët e tij përdornin aplikacione si “Telegram” dhe identitete të rreme për të tërhequr fshatarë e qytetarë në këtë skemë. Emra të tjerë të përfshirë janë: Emanuel Taullau, 21 vjeç, Flavio Mukaj, 23 vjeç, Marius Kodra, 28 vjeç, Brunilda Todi, 38 vjeçe dhe Brunilda Ndini, 38 vjeçe, ndërsa Ereledio Shebeku dhe Alma Shebeku, burrë dhe grua, të dy 35 vjeç janë shpallur në kërkim. Sekuestrimet e shumave të mëdha parash, valutave të huaja dhe kriptovalutave konfirmojnë përmasat e mashtrimit. Një skemë që, ndryshe nga vitet ’90 me fletushka e zyra, tashmë shfrytëzon teknologjinë dhe mungesën e njohurive digjitale të qytetarëve.

Ngjashmëritë me vitet e shkuara janë tronditëse: individë pa kredibilitet, lidhje të dyshimta me politikën lokale, imazh publik i fryrë nga sponsorizime dhe një grackë financiare që shkatërron kursimet e njerëzve të thjeshtë. Edhe sot, si në ’97, mashtrimi nuk është thjesht problem ekonomik, por burim destabilizimi social dhe politik.

Nëse në vitet ’90 humbjet ekonomike ndezën zjarrin e revoltës që rrëzoi shtetin, sot rreziku shfaqet në një formë më të sofistikuar. Skemat piramidale të vitit 2025 tregojnë se politika dhe institucionet nuk kanë mësuar nga tragjedia e së kaluarës. Ato vazhdojnë të mbyllin sytë përballë mashtruesve, derisa qytetarët të mbeten sërish viktima.

Historia e firmave piramidale në Shqipëri nuk është thjesht një kujtesë e dhimbshme, por një paralajmërim i qartë se pa institucione të forta dhe pa përgjegjësi politike, mashtrimi do të kthehet gjithmonë, duke marrë forma të reja, por duke lënë të njëjtat plagë mbi qytetarët.

Ndaj Postimin: