Fiona Papajorgji zgjidhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese, pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçajt

Fiona Papajorgji është zgjedhur në krye të Gjykatës Kushtetuese, duke marrë detyrën pas përfundimit të mandatit të ish-kryetares Holta Zaçaj. Vendimi u miratua njëzëri nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Kushtetueses në seancën e zhvilluar sot, 18 dhjetor 2025.

Procedurat për zgjedhjen e kreut të ri nisën në fillim të muajit, pas mbarimit të mandatit të Zaçajt. Papajorgji ishte e vetmja kandidate për këtë post dhe do ta drejtojë institucionin për një mandat trevjeçar.

“Në përfundim të procesit të votimit, në bazë të parashikimeve ligjore, Mbledhja e Gjyqtarëve, me vendimin nr.14, datë 18.12.2025, zgjodhi njëzëri zonjën Fiona Papajorgji në detyrën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin zyrtar të institucionit.

Gjykata bëri të ditur se vendimi i është dërguar Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Gjykatës së Lartë, sipas procedurës ligjore.

Ndaj Postimin: