Financat bujqësore dhe premtimet e qeverisë

Qeveria premton më shumë fonde për bujqësinë në 2026, por fermerët ende përballen me kosto të larta, mungesë tregu dhe politika që nuk ndjekin realisht nevojat e tyre të përditshme.

Qeveria ka shpallur me shumë bujë një paketë prej 53 milionë eurosh subvencione dhe grantesh për bujqësinë gjatë vitit 2026, duke e paraqitur si një hap të madh drejt zhvillimit rural. Sipas ministrit të Bujqësisë Andis Salla, fondi total arrin në 16.3 miliardë lekë, një rritje prej 11.3% krahasuar me një vit më parë. Por ndërsa shifrat duken premtuese, realiteti i fermerëve në terren tregon probleme të përsëritura që nuk zgjidhen me deklarata politike.

Ministri njoftoi se 5.2 miliardë lekë do të shpërndahen në forma subvencionesh direkte dhe grantesh investimi, ndërsa kompensimi 10% i TVSH-së për inputet bujqësore vlerësohet të arrijë në 1.5 miliardë lekë. Programi i Zhvillimit Rural, sipas tij, merr 7.7 miliardë lekë ose gati gjysmën e buxhetit të ministrisë. Ai deklaroi se ky program synon të afrohet me politikat e BE-së deri në vitin 2030, duke shtuar prodhimin, cilësinë dhe hapjen e tregjeve.

Salla theksoi se Skema Kombëtare do të mbështesë fermerët, agroturizmin dhe zinxhirin e vlerës me 5.2 miliardë lekë, një rritje prej 16% krahasuar me 2025. Ai përmendi mbi 800 aplikime në thirrjen e fundit për investime në ferma, përpunim ose agroturizëm, ndërsa pretendoi se modernizimi i sektorit do të injektojë të paktën 2 miliardë lekë vitin tjetër. Megjithatë, fermerët në shumë zona ankohen se aplikimet e tyre mbeten pa përgjigje, ndërsa investimet reale shpesh bllokohen për shkak të procedurave të gjata dhe burokracisë.

Pjesë e planit të qeverisë është edhe objektivi për të çuar skemën deri në 100 milionë euro në vit me 150,000 përfitues deri në 2030, duke futur kushte për praktika mjedisore, siguri ushqimore dhe gjurmueshmëri. Edhe pse në letër tingëllon moderne, shumë fermerë kanë vështirësi të prodhojnë thjesht për tregun lokal, për shkak të çmimeve në rritje, kostove të larta të inputeve dhe mungesës së blerësve të qëndrueshëm.

Ministri promovoi sërish kompensimin 10% të TVSH-së për fermerët me NIPT, duke e quajtur një mekanizëm që ul kostot dhe rrit gjurmueshmërinë. Megjithatë, shumë fermerë shprehen se skema i favorizon vetëm ata që kanë lidhje të formalizuara me grumbulluesit, ndërsa pjesa më e madhe e prodhuesve të vegjël mbetet jashtë sistemit, pasi jo gjithmonë realizohen shitje të faturuara.

Salla foli edhe për garancinë sovrane që premton kredi me interes 2% për aktorët e sektorit, një mekanizëm që sipas tij do të rinovohet për vitin 2026. Edhe këtu, realiteti bie ndesh me propagandën, pasi bankat shpesh kërkojnë garanci të larta, çka i përjashton shumë ferma familjare nga këto mundësi.

Një tjetër program që sipas ministrit do të marrë rritje prej 12.1% është ai i sigurisë ushqimore, me 2.9 miliardë lekë për laboratorë, analiza dhe elementë të tjera të gjurmueshmërisë. Edhe pse investimi në cilësinë e produkteve është i domosdoshëm, mbetet e paqartë se sa prej këtyre fondeve përkthehen realisht në kushte më të mira për fermerët që prodhojnë në terren, ku mungojnë laboratorë lokalë, mbikëqyrje e rregullt dhe infrastruktura bazë.

Në fund, ministri përmendi investimet për ujitjen dhe kullimin, duke premtuar rritje 36% të fondit.

Në letër, buxheti i bujqësisë për 2026 duket i majmë. Por në terren, fermat vijojnë të përballen me sfida që nuk zgjidhen me deklarata, por me politika të ndershme, investime të prekshme dhe mbështetje të barabartë për të gjithë prodhuesit.

Ndaj Postimin: