Fieri përballet me ndërprerje uji, banorët të revoltuar

Qytetarët e Fierit kalojnë ditë të vështira pa ujë të pijshëm, ndërsa mungon transparenca dhe përgjegjësia për ndërprerjet e përsëritura në rrjetin e ujësjellësit.

Lagje të ndryshme të Fierit, përfshirë “1 Maji” dhe rrugën “Skënderbeu”, kanë mbetur pa ujë që prej ditës së djeshme. Sipas njoftimit të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve, ndërprerja lidhet me “rregullime në rrjet”, por mungojnë shpjegimet për kohëzgjatjen dhe menaxhimin e situatës.

Banorët shprehen të revoltuar për mungesën e njoftimit paraprak dhe pasojat në jetën e përditshme. “Nuk mund të lajmë, nuk mund të gatuajmë. Marrim ujë me bidona si në kohë të tjera”, tregon një qytetare për TV Apollon, duke theksuar se ndërprerjet janë kthyer në përditshmëri.

Vetëm pak javë më parë, situatë e ngjashme u raportua në lagjen “29 Nëntori”, ku furnizimi u ndërpre për disa ditë. Banorët e zonës atëherë denoncuan se institucionet lokale nuk dhanë asnjë informacion për shkakun dhe kohën e rikthimit të ujit.

Ndërsa autoritetet flasin për “përmirësime teknike”, qytetarët kërkojnë llogari për mungesën e investimeve afatgjata. Rrjeti i amortizuar dhe mungesa e mirëmbajtjes sistematike po shndërrojnë një nevojë bazë në një luks të përkohshëm.

Në kushte të tilla, rreziku për shëndetin publik rritet ndjeshëm. Mungesa e ujit të rrjedhshëm ndikon në higjienë dhe në jetesën minimale, veçanërisht për familjet me fëmijë dhe të moshuar.

Qytetarët kërkojnë që Bashkia Fier dhe ndërmarrja e ujësjellësit të japin shpjegime të qarta dhe të garantojnë furnizim të qëndrueshëm, duke shmangur përsëritjen e krizave të tilla që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të komunitetit.

Ndaj Postimin: