Fieri dhe Vlora pa tregje, gjelat e detit shiten në anë të rrugëve! Fermerët: “Çmimi i drithërave na ka futur në vështirësi”

Fieri dhe Vlora, dy nga zonat më të njohura për mbarështimin e gjelave të detit, po përballen me mungesën e tregjeve të organizuara për shitjen e këtyre shpendëve.

Në prag të festave, fermerët janë të detyruar të dalin në anë të rrugëve kombëtare për të shitur produktet e tyre. Akset si Levan-Tepelenë dhe Vlorë-Selenicë, gjelat e detit shiten nga 800 deri në 1,200 lekë të reja për kilogram, ndërsa fermerët ankohen për vështirësitë financiare dhe rritjen e kostove të prodhimit.

Në rrugën dytësore të autostradës Levan-Tepelenë, fermerët e zonës së Cakranit ofrojnë shpendët e tyre në kushte të vështira, duke shpresuar që udhëtarët të ndalojnë për të blerë. Fermeri Xhevair Avdiaj, i cili mbarështon 300 gjela dhe pula, thekson se çmimet janë të ulëta krahasuar me kostot e prodhimit. “Po i shes me 7-8 mijë lekë për kilogram, por çmimi i drithërave është rritur shumë dhe nuk kemi leverdi,” thotë ai.

Një tjetër fermer, Xhevat Llanaj, qëndron çdo ditë në rrugë për të shitur tufën e tij deri në fund të dhjetorit. Me një pension të ulët dhe shpenzime të larta për rritjen e gjelave, ai apelon për mbështetjen e institucioneve shtetërore. “Duhet të ndalojnë importin e shpendëve nga jashtë që ne të mund të shesim me leverdi. Kam 120 krerë dhe pres që të shiten sa më shpejt, por deri tani kam shitur vetëm disa prej tyre,” shprehet Llanaj.

Gjendja duket po aq shqetësuese edhe për fermerin Gezim Seitaj, i cili ka investuar një milion lekë në blerjen e drithërave për të ushqyer tufën e tij prej 300 shpendësh. Ai tregon se ka rritur numrin e gjelave gjatë viteve të fundit, por mungesa e tregjeve dhe çmimi i ulët e kanë vështirësuar punën. “Në mëngjes nisem herët, por sot kam shitur vetëm pesë krerë. Shpendët tanë janë bio, por njerëzit nuk ndalojnë shumë për të blerë,” thotë Seitaj.

Në aksin Vlorë-Selenicë, panorama është e njëjtë. Me dhjetëra fermerë dalin çdo ditë në rrugë për të shitur gjelat e tyre, duke përballuar erën dhe të ftohtin. Çmimi në këtë zonë shkon deri në 1,200 lekë për kilogram, por fermerët thonë se puna e një viti për të rritur shpendët mezi mbulon shpenzimet.

Gjelat e detit në këto zona rriten në kushte natyrore, duke u ushqyer kryesisht me drithëra, çka i bën ata një zgjedhje të preferuar për tryezat festive. Megjithatë, mungesa e tregjeve të organizuara dhe rritja e çmimeve të misrit kanë krijuar një situatë të vështirë për këta fermerë, të cilët shpresojnë që blerësit të vlerësojnë cilësinë e produkteve të tyre.

Edhe pse çmimi i shitjes nuk ka ndryshuar krahasuar me vitin e kaluar, rritja e kostove të prodhimit po i detyron fermerët të rishikojnë mënyrat e tyre të punës. Në mungesë të mbështetjes institucionale, shumë prej tyre po konsiderojnë reduktimin e tufave në vitet e ardhshme.

Për fermerët e Fierit dhe Vlorës, gjelat e detit mbeten një burim kryesor i të ardhurave për familjet e tyre, por sfidat e tregut dhe konkurrenca nga importet po e bëjnë këtë aktivitet gjithnjë e më të vështirë. Ndërkohë, ata vazhdojnë të presin buzë rrugëve, me shpresën se blerësit do të ndalojnë për të marrë “simbolin” e tryezave festive shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera