Fier: Policia godet një tjetër rast të lotarive të palejuara në operacionin “Game Over”

Një tjetër rast i organizimit të lotarive të palejuara u zbulua dhe u godit nga policia në Fier, në kuadër të operacionit të koduar “Game Over”.

Si rezultat i këtij aksioni, u arrestuan në flagrancë dy shtetas, ndërsa u sekuestruan dy aparate celulare që shërbenin për vendosjen e basteve sportive.

Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier, zbuluan aktivitetin e paligjshëm të basteve në një lokal në fshatin Cakran. Të arrestuarit janë shtetasit E. R., 27 vjeç dhe M. R., 30 vjeç, të dy banues në të njëjtin fshat.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni policor u finalizua pas një periudhe hetimesh dhe kontrollesh të vazhdueshme në terren. Dy të arrestuarit u kapën në flagrancë, në lokalin “Bar-Bilardo”, i cili ishte marrë me qira nga njëri prej tyre. Të dy shtetasit kishin vendosur baste sportive nëpërmjet celularëve, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Përveç aktivitetit të palejuar të basteve sportive, autoritetet konstatuan se lokali operonte pa licencë dhe pa u regjistruar në organet tatimore. Ky fakt shtoi akuzat ndaj njërit prej të arrestuarve, duke përfshirë edhe fshehjen e të ardhurave dhe ushtrimin e aktivitetit tregtar të paligjshëm.

Materialet procedurale për këtë rast janë dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit Fier për veprime të mëtejshme. Të dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave”, si dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar”.

Policia vijon kontrollet intensive për të goditur veprimtaritë e kundërligjshme në këtë fushë, duke apeluar njëkohësisht për bashkëpunimin e qytetarëve në denoncimin e rasteve të ngjashme.

Ndaj Postimin: