Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Fier, ku një 47-vjeçar është gjetur i pajetë në derën e një banese ku dyshohet se kishte tentuar të hynte për të vjedhur.
Viktima, i identifikuar si Ilir Zarka, u gjet mëngjesin e së hënës në lagjen “8 Shkurti” nga një fqinj i familjes. Trupi i tij ishte i ngecur në një hapësirë të ngushtë mes xhamit të derës, e cila mendohet se ishte thyer për të hyrë brenda banesës.
Sipas të dhënave paraprake, 47-vjeçari dyshohet se në errësirë nuk ka arritur të vlerësojë saktë hapësirën e krijuar pas thyerjes së xhamit dhe ka tentuar të futet nga e çara. Në përpjekje për të hyrë ose për t’u tërhequr, ai ka mbetur i bllokuar dhe dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë.
Banesa trekatëshe rezulton në pronësi të një shtetasi që prej rreth një muaji ndodhej jashtë vendit, në Greqi, së bashku me familjen. Çelësat e hyrjes së jashtme i ishin lënë një fqinji, i cili edhe konstatoi ngjarjen, ndërsa hyrja e brendshme mbahej nga një familjar tjetër.
Rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet. Dyshimet paraprake për asfiksi janë vënë në pikëpyetje edhe nga pozicioni i pazakontë në të cilin është gjetur viktima.
Nga këqyrja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune apo prerjeje, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes. Po ashtu, ekspertët do të kryejnë edhe ekspertizën për dinamikën e ngjarjes, si dhe një eksperiment hetimor për të kuptuar më qartë rrethanat.
Policia bëri me dije se 47-vjeçari ishte person i njohur për uniformat blu të Fierit, për shkak të precedentëve penalë.