Fico kundërshton Trumpin

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, refuzoi prerë idenë që vendi i tij të blejë armë amerikane për t’u dërguar falas në Ukrainë me financim nga BE-ja.

Deklarata e tij erdhi pas një videokonference të Këshillit Europian, ku Fico publikoi një mesazh në rrjetet sociale. Ai e cilësoi planin për blerjen e armëve në vlerë 100 miliardë dollarë si “një shaka të hidhur”, duke nënvizuar se Sllovakia nuk do të pranojë të përfshihet në një skemë të tillë.

“Edhe në ëndrrat më të çmendura nuk mund ta mendoj që vendi im të blejë armë nga SHBA për t’i dërguar falas në frontin ukrainas”, theksoi Fico, duke shtuar se prioriteti i tij është mbrojtja e interesave kombëtare.

Ai u shpreh gjithashtu skeptik mbi sanksionet e reja ndaj Rusisë, duke paralajmëruar se nuk do t’i mbështesë ato nëse nuk prodhojnë rezultate të prekshme. Për Ficon, një nga kushtet kryesore për paqe është që Ukraina të mos bëhet pjesë e NATO-s.

“Që nga fillimi i konfliktit jam shprehur kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Qëndrimi im mbetet i njëjtë edhe sot, pavarësisht kritikave të shumta”, deklaroi ai, duke shtuar se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë edhe diskutimin mbi ndryshimet territoriale.

Megjithatë, kryeministri i Sllovakisë u shfaq i hapur ndaj një tjetër drejtimi strategjik të Kievit. Sipas tij, Ukraina ka të drejtë të synojë anëtarësimin në Bashkimin Europian, por vetëm nëse plotëson standardet dhe kriteret që kërkohen për këtë proces.

Ky qëndrim i Ficos shënon një linjë të qartë ndarjeje nga shumë shtete të BE-së, duke e vendosur Sllovakinë në një pozitë të veçantë në debatin mbi të ardhmen e luftës në Ukrainë dhe mbështetjen që duhet të marrë Kievi nga aleatët perëndimorë.

Ndaj Postimin: