Roskoveci kremtoi edicionin e 10 të “Festës së Ullirit” në fshatin Luar, duke promovuar kulturën, traditën dhe rëndësinë ekonomike të pemës shekullore për komunitetin lokal.
Në zemër të Myzeqesë, Roskoveci u gjallërua nga ngjyrat, aromat dhe energjia e festës tradicionale që tashmë është kthyer në simbol të bashkisë. Pas nëntë vitesh në Kurjan, edicioni i dhjetë i “Festës së Ullirit” u zhvendos këtë herë në fshatin Luar, duke ruajtur shpirtin e saj përbashkues dhe duke sjellë një organizim të pasur me ngjarje kulturore e bujqësore.
Prej më shumë se tetë vitesh, Bashkia Roskovec ka bërë të mundur zhvillimin e këtij eventi që promovon prodhimin vendas dhe mbështet kultivimin e ullirit – pemës që mban gjallë ekonominë e zonës dhe simbolizon paqen. Rreth 30% e territorit kodrinor të Roskovecit është i mbjellë me ullinj, ndërsa mbi 500 mijë rrënjë janë sot në prodhim të plotë.
Festa e këtij viti u fokusua në promovimin e vajit të ullirit dhe produkteve të tjera tradicionale, të cilat u ekspozuan në panairin e hapur në fushën sportive të fshatit Luar. Tavolinat e mbushura me gatime lokale, vajra artizanalë dhe produkte të zonës dëshmonin pasurinë bujqësore dhe shpirtin punëtor të banorëve.
Edicioni jubilar mblodhi qindra qytetarë nga Roskoveci dhe fshatrat përreth, ndërsa nxënës të shkollave të ndihmuar nga prindërit dhe mësuesit sollën në panair receta tradicionale dhe produkte të përgatitura me dashuri. Kjo ndërthurje brezash e ktheu festën në një ditë të veçantë për gjithë komunitetin.
Kryetarja e bashkisë, Majlinda Bufi, këtë vit nuk ishte e pranishme për shkak të një udhëtimi zyrtar në Bruksel, por aktivitetin e hapi nënkryetari Maksim Goga. Ai përshëndeti qytetarët pas një koncerti festiv dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së traditës së ullirit si pjesë e identitetit të Roskovecit.
“Sot jemi në Luar për të vazhduar një traditë që për ne është më shumë se një festë, është vetë jeta e komunitetit tonë. Ulliri na bashkon, na ushqen dhe na përfaqëson,” deklaroi Goga, duke shpërndarë edhe çmimet për fituesit e maratonës së nxënësve që u zhvillua në kuadër të aktivitetit.
Para ceremonisë kryesore, u organizuan disa aktivitete si maratona e vrapimit për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, ekspozita artizanale, panairi i produkteve bujqësore dhe një koncert me artistë lokalë. Fjalët përshëndetëse të të ftuarve theksuan bashkëpunimin dhe rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm rural.
Megjithëse fermerët këtë vit kanë pasur një prodhim më të ulët për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe dëmtimeve nga breshëri pranveror, entuziazmi dhe përkushtimi i tyre mbetën të pandryshuar. Festa e Ullirit në Roskovec, edhe këtë herë, u kthye në një manifestim krenarie, tradite dhe shprese për të ardhmen e bujqësisë shqiptare.
 
				 
															 
         
         
        

