FERRASI I BASHKISE FIER 36 VITE PA UJË

Fshati Ferras, një nga fshatrat më të largët në jug të Bashkisë Fier, i kufizuar me territorin e Vlorës nepermjet lumin Vjosë, përballet prej dekadash me një nga problemet më jetike për banorët: mungesën e ujit të pijshëm.
Banorët thonë se prej rreth 36 vitesh presin që uji i pijshëm të mbërrijë në shtëpitë e tyre, por deri më sot problemi nuk ka gjetur zgjidhje. Një situatë që sipas tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në kushtet e jetesës dhe ka shtuar vështirësitë për familjet që kanë zgjedhur të qëndrojnë në këtë zonë.
Për të siguruar ujin e pijshëm, banorët detyrohen ta blejnë nga autobotet që e tregtojnë në fshat, ndërsa një pjesë e tyre përdorin edhe ujë të ambalazhuar. Por shpenzimet për ujin janë një barrë e shtuar për familjet, veçanërisht në periudhën e verës, kur nevoja për të është edhe më e madhe.
Ndersa për nevojat e tjera të përditshme, banorët përdorin ujin e puseve të hapura pranë banesave. Ata që nuk kanë mundësi të sigurojnë pus, thonë se në raste të caktuara detyrohen të marrin ujë edhe nga lumi Vjosë.

Për banorët e Ferrasit, mungesa e ujit nuk është një problem i kohëve të fundit. Është një shqetësim i trashëguar prej dekadash, që vazhdon të mbetet pa zgjidhje konkrete. Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë dhe të hartojnë një zgjidhje të menjëhershme dhe te qëndrueshme për furnizimin me ujë të pijshëm.
Sipas tyre, infrastruktura bazë është një nga kushtet kryesore për të frenuar braktisjen e fshatit dhe për t’u krijuar banorëve mundësi për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre.
Banorët i bëjnë apel pushtetit vendor dhe institucioneve përgjegjëse që të mos e lënë më në harresë Ferrasin. Ata kërkojnë që edhe ky komunitet të përfshihet në investimet publike dhe të ketë një zgjidhje përfundimtare për problemin e ujit të pijshëm.
Pas 36 vitesh pritje, ata kërkojnë jo më premtime, por ujë në çezmat e shtëpive të tyre ne Farras

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033