Gezim Toska, fermer me përvojë në Darsinë e Lushnjës, kërkon energji elektrike për të shpëtuar prodhimin e rrushit në sezonin e nxehtë të verës
Në njësinë administrative Hysgjokaj të Bashkisë Lushnjë, fermerët po orientohen drejt metodave më të përparuara bujqësore, duke investuar në teknologji që rrisin të ardhurat dhe qëndrueshmërinë ekonomike. Fshati Kupas është kthyer në një pikë referimi për kultivimin e rrushit në sera dhe plantacione, duke sjellë ndikim të ndjeshëm në jetën ekonomike të familjeve të zonës, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Ndër zërat më aktivë në këtë zhvillim është Gezim Toska, një fermer i cili prej më shumë se dy dekadash ka investuar në bujqësi, pas rikthimit nga emigracioni në vitin 1997. Ai ka ngritur një biznes familjar me sera diellore, plantacione ulliri dhe 7 dynymë vreshta me rrush të varieteteve të ndryshme për tregun vendas dhe eksport.
Megjithëse prodhimi i rrushit është gjithnjë e më i kërkuar, sidomos gjatë muajit gusht, sfida kryesore për fermerin Toska mbetet vaditja. Edhe pse parcelat ndodhen pranë rezervuarit të Pajallisë, mungesa e energjisë elektrike trefazore e bën të pamundur funksionimin e pompave të ujit, duke rrezikuar tërë mundin dhe investimin e sezonit.
Toska shprehet se ka bërë disa herë kërkesa në institucionet përkatëse, përfshirë OSHEE-në dhe drejtuesit vendorë, por mungesa e përgjigjes efektive po sjell pasoja reale për prodhimin bujqësor. Ai nënvizon se toka është i vetmi burim jetese për familjen e tij dhe se çdo vonesë në zgjidhjen e kësaj çështjeje rrezikon të ulë cilësinë dhe sasinë e prodhimit.
Prodhimi i rrushit në këtë zonë kodrinore është veçanërisht i kërkuar nga grumbulluesit për konsum të freskët, ndërsa pjesa e mbetur përdoret për prodhimin e rakisë dhe verës, duke furnizuar lokalet dhe tregjet lokale. Zona e Darsisë, për nga cilësia e rrushit, njihet ndër më të mirat në territorin e Bashkisë Lushnjë.
Gezim Toska vlerëson gjithashtu bashkëpunimin me kreun e qendrës administrative, Z. Hysni Dingozi, i cili ndjek nga afër problematikat e fermerëve dhe ruan komunikim të përditshëm me ta. Megjithatë, ai thekson se institucionet shtetërore duhet të ndërhyjnë më konkretisht për të mbështetur bujqësinë në këto zona me potencial të lartë por me sfida të shumta.
Largimi i krahut të punës është një tjetër problem që rëndon situatën. Toska kërkon nga autoritetet më shumë vëmendje për zonën kodrinore të Darsisë, duke theksuar nevojën për politika të qëndrueshme që të garantojnë jetesën e fermerëve dhe të forcojnë sektorin bujqësor në këtë pjesë të vendit.