Në fshatin Perondi, bashkia Kuçovë, fermeri Agim Shyti prej 15 vitesh merret me bujqësi, me fokus kryesor kultivimin në sera. Aktualisht, ai ka të mbjella rreth 2 dynym sera me domate “Pink Rock”, të cilat ndodhen në fazë prodhimi dhe po tregtohen në tregun vendas, si dhe në pikat e grumbullimit.
Sot, çmimi i domates në tregun e shumicës arrin rreth 100 lekë për kilogram, një vlerë që sipas fermerit shpesh nuk përputhet me kostot dhe mundin e madh të punës në sera. Shyti thekson se prodhimi është bio dhe realizohet me pjalmim natyral nga bletët, duke garantuar cilësi të lartë për konsumatorin.
Përveç serave, ai merret edhe me rreth 3.5 dynym vreshta rrushi për konsum të brendshëm, duke bashkëpunuar edhe me punishte vere për tregtimin e prodhimit. Këtë vit, vreshtat janë mbuluar me rrjeta për t’u mbrojtur nga kushtet e pafavorshme të motit.
Pavarësisht përkushtimit dhe punës së vazhdueshme, fermeri nënvizon vështirësitë me të cilat përballet sektori. Ai u bën thirrje institucioneve shtetërore që të kthejnë vëmendjen nga bujqësia, si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit, duke rritur mbështetjen dhe subvencionet për fermerët.