Në qendrën administrative Allkaj, një nga zonat më prodhuese të Myzeqesë për kultivimin e rrushit, fermerët po përballen me vështirësi të mëdha në gjetjen e tregut për shitjen e prodhimit të tyre.
Aktualisht, mbi 120 hektarë tokë janë të mbjella me vreshta, nga të cilat 100 hektarë janë të destinuara për industrinë e verës, ndërsa rreth 20 hektarë për konsum tavoline, si në fusha ashtu edhe në sera diellore.
Fermerët shprehen të zhgënjyer nga çmimet e ulëta që ofrojnë pikat grumbulluese. Sipas tyre, një kilogram rrush për tavolinë blihet vetëm me 100 lekë të reja, çmim që nuk mbulon as kostot bazë të prodhimit. Ata theksojnë se tregu vendas është i tejngopur dhe mungon akses në tregje alternative, çka i vendos në vështirësi të mëdha financiare pas disa vitesh investimesh dhe pune të palodhur.
Një pjesë e këtyre fermerëve janë kthyer nga emigracioni dhe prej gjashtë vitesh janë angazhuar me përkushtim në vreshtari, duke e kthyer atë në burimin kryesor të të ardhurave familjare. Vaditja e parcelave bëhet përmes kanalit kryesor, i cili furnizohet nga rezervuari i Thanës, por krahas mungesës së tregut, ata përballen edhe me vështirësi të tjera.
Fermerët shprehen të pakënaqur nga vonesat në dhënien e subvencioneve nga shteti. Edhe pse kanë aplikuar për mbështetje financiare, deri në javën e parë të tetorit nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje apo ndihmë.
Kamera e TV Apollon, së bashku me specialistin e agronomisë Aldi Sefa, vizitoi parcelat e fermerëve Oltjan Nushi, Florian Nushi dhe Marjol Bushi, ku u pa nga afër gjendja e vreshtave dhe cilësia e rrushit që është gati për vjelje. Sipas tyre, një tjetër problem mbetet mungesa e fuqisë punëtore, pasi të rinjtë po largohen gjithnjë e më shumë nga fshati, duke lënë pas një mungesë të theksuar të punëtorëve sezonalë në periudhën më kritike të vjeljes.
Fermerët kërkojnë ndërhyrje emergjente nga institucionet shtetërore për garantimin e një tregu të sigurt dhe të drejtë, si dhe për ndihmë konkrete përmes subvencioneve dhe politikave mbështetëse që i japin jetë bujqësisë.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi
 
				 
															 
         
         
        

