Fermerët e Myzeqesë diskutojnë sfidat me ekspertët e bujqësisë në Krutje

Në qendrën administrative të Krutjes u zhvillua një takim i rëndësishëm mes fermerëve të Myzeqesë dhe akademikëve të bujqësisë, me synimin për të forcuar bashkëpunimin mes prodhuesve, tregut dhe institucioneve shkencore.

Takimi u organizua të shtunën nga agrogrumbulluesi dhe sipërmarrësi i njohur i rajonit, Ilir Rrukaj, përfaqësues i kompanisë “Eliexport”, i cili prej vitesh bashkëpunon ngushtë me fermerët lokalë. Në aktivitet morën pjesë profesorë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti i Tetovës, duke sjellë një qasje akademike në trajtimin e sfidave të bujqësisë moderne, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Qëllimi i këtij takimi ishte krijimi i një platforme të përbashkët bashkëpunimi për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, përmirësimin e teknologjive të prodhimit dhe gjetjen e zgjidhjeve konkrete për sfidat që përballen fermerët e Myzeqesë. Diskutimet u fokusuan në rritjen e efikasitetit të prodhimit, lidhjen më të fortë me tregjet dhe përdorimin e inovacioneve në sektorin bujqësor.

E pranishme në takim ishte edhe kryetarja e Bashkisë Lushnjë, znj. Eriselda Sefa, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis pushtetit vendor, sektorit privat dhe universiteteve bujqësore. Ajo nënvizoi se përmes këtyre partneriteteve mund të krijohen politika zhvillimi më të qëndrueshme që mbështesin fermerin vendas.

Gjatë diskutimeve u theksua nevoja për integrimin e kërkimit shkencor në praktikën e përditshme të bujqësisë dhe për rritjen e rolit të kompanive agro-përpunuese në mbështetjen e prodhimit vendas. Përfaqësuesit e universiteteve sollën shembuj të bashkëpunimeve të suksesshme në rajone të tjera që mund të shërbejnë si model për Myzeqenë.

Fermerët e pranishëm ngritën shqetësimet e tyre mbi kostot e larta të prodhimit, mungesën e infrastrukturës dhe nevojën për mbështetje teknike e financiare. Sipas tyre, bashkëpunimi me ekspertët mund të ndihmojë në rritjen e cilësisë së produkteve dhe në hapjen e tregjeve të reja.

Takimi në Krutje u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi më të strukturuar në shërbim të zhvillimit bujqësor të zonës së Myzeqesë, një rajon që mbetet zemra prodhuese e Shqipërisë dhe një potencial i madh për ekonominë kombëtare.

Ndaj Postimin: