Fermerët e zonës kodrinore të Lushnjës kanë nisur sezonin e vjeljes dhe përpunimit të ullirit për vaj, dhe këtë vit po duket shumë premtues.
Në njësinë administrative Golem, ku kultivohen më shumë se 90 mijë rrënjë ullinj, prodhimi është i bollshëm dhe cilësia e vajit është e jashtëzakonshme. Megjithatë, sfida e vërtetë për fermerët mbetet procesi i vjeljes, që kërkon shumë punë fizike dhe, fatkeqësisht, në fshat ka mbetur kryesisht mosha e tretë për ta përballuar këtë punë.
“Ne të dy, burrë e grua, po i vjelim ullinjtë vetë sepse punëtorë s’ka. Ata që janë, kërkojnë deri në 30 mijë lekë në ditë. Fëmijët i kemi në kurbet, por ata na ndihmojnë kur s’mundemi ta shesim vajin vetë. E marrin me autobusë dhe e shesin andej,” tregojnë Yzedin dhe Bujare Toska, dy fermerë të zonës.
Megjithatë, disa të rinj kanë filluar të kthehen nga emigracioni dhe kanë krijuar brigada të vogla pune për të ndihmuar me vjeljen. Me mekanikë të specializuar, ata ndihmojnë fermerët, por kërkesa për shërbimet e tyre është e lartë dhe fermerët duhet të presin për radhën e tyre. “Jemi mbledhur gjashtë veta dhe kemi formuar një grup pune. Ka shumë punë, dhe s’dimë ku të shkojmë më parë,” thotë Vilson Çela, një nga punëtorët.
Edhe pse këto brigada janë një ndihmë e madhe, kostoja mbetet e lartë për fermerët. “Një brigadë kërkon 25 mijë lekë për të vjelë një kuintal ullinj! Pastaj fabrika kërkon 10 mijë lek, transporti 5 mijë. Çfarë më mbetet mua?” shprehet fermeri Miti Çapuni, duke theksuar sfidat financiare që përballen.
Nga ana tjetër, Sokol Hajdari, një i ri që është kthyer nga emigracioni për të ndihmuar familjen e tij, që ka rreth 1500 rrënjë ullinj, thotë se do të ishte i detyruar të marrë punëtorë nëse nuk do të mund ta përballojë vetë vjeljen.
Në këtë zonë veprojnë gjithashtu gjashtë punishte për përpunimin e vajit. Refit Çela, pronar i një prej tyre, ka investuar në një teknologji të veçantë që thyen ullirin me gurë dhe përdor presa mekanike për të prodhuar vaj të cilësisë së lartë. Ai thotë se mënyra më e mirë për t’u ndihmuar fermerëve është të lidhen kontrata për shitjen e vajit, duke shmangur shitjen në mënyrë individuale dhe të paplanifikuar.
Në fillim të sezonit, ullinjtë po tregtohen me çmime që variojnë nga 80 deri në 120 lekë për kilogram, ndërsa një litër vaj shitet nga 650 deri në 700 lekë.