Fenomeni i bullizmit dhe shantazhit në rrjetet sociale në Qarkun e Fierit: Një kthesë alarmante

Fyerjet, shantazhet, denigrimet dhe bullizimet në rrjetet sociale janë shndërruar në një fenomen gjithnjë e më shqetësues, që ka prekur të gjitha grupmoshat, duke përfshirë edhe qytetarët e Qarkut të Fierit. Shantazhet online po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, duke e bërë situatën alarmante. Vetëm gjatë dy javëve të fundit, në Drejtorinë Vendore të Policisë në Qarkun e Fierit, janë raportuar pothuajse çdo ditë denoncime. Këto denoncime nuk vijnë vetëm nga minorenët, por edhe nga individë të moshave 40-50 vjeç.

Fillimisht krijuar si mjete komunikimi dhe argëtimi, rrjetet sociale tani po kthehen në makthin e shumë përdoruesve, të cilët kanë qenë të ekspozuar ndaj fyerjeve, shantazheve dhe kërcënimeve online. Kjo ka bërë që hapësira dixhitale të bëhet gjithnjë e më toksike. Për psikologen Krisalda Sauli, shkaqet e këtij fenomeni janë të shumta: anonimati, mungesa e empatisë, xhelozia, inati i mbartur, dëshira për hakmarrje dhe mungesa e kontrollit prindëror mbi përdorimin e aparateve celularë dhe rrjeteve sociale.

Shqetësuese është situata, veçanërisht në grupmoshën 14-16 vjeç, por edhe tek ata 40-50 vjeç, të cilët shpesh i shohin rrjetet sociale si një mundësi për të bërë njohje të reja.

Nga ana tjetër, psikologja Sauli thekson se pasojat e traumave që pësojnë viktimat e bullizmit dhe shantazhit online janë afatgjata. Këto pasoja mund të përfshijnë ndjenjën e turpërimit, poshtërimit, frikën dhe izolimin, si dhe ndjesinë e pafuqisë dhe të pambrojtur përballë një situate të panjohur. Ky fenomen ka ndikime të thella psikologjike, që mund të shoqërohen edhe me pasoja të tjera më të rënda, siç janë stresi akut apo stresi post-traumatik.

Për psikologen Sauli, informimi dhe ndërgjegjësimi i vazhdueshëm janë mënyrat më efikase për parandalimin e këtyre fenomenëve, ndërkohë që ky proces duhet të përfshijë jo vetëm viktimat, por edhe ata që realizojnë veprime të tilla. Sauli ka bërë një apel të veçantë për adoleshentët, duke theksuar se ata nuk duhet të harrojnë se një ditë do të rriten dhe nuk do të mbeten përgjithmonë në moshë adoleshence, duke menduar se asgjë nuk mund t’i prekë ata. Ata duhet të kuptojnë se rrjetet sociale janë një hapësirë ku ka të njëjtin numër njerzish si ata, dhe se mund të jenë të prekur, por edhe ata që prekin duhet të ndërgjegjësohen dhe sensibilizohen për ndikimin që mund të kenë.

Një tjetër problematikë mbetet bashkëveprimi në grup, veçanërisht i minorenëve. Faqet e Instagramit që përmbajnë denigrime, fyerje dhe materiale banale janë denoncuar publikisht. Për psikologen Sauli, minorenët më të ekspozuar janë ata që kanë përjetuar neglizhencë të madhe në familjet e tyre ose ata që kanë pasur një qëndrim liberal nga ana e prindërve. Ajo bën thirrje për kujdes të veçantë nga ana e prindërve, për të siguruar një mirëinformim të duhur të fëmijëve dhe për të zhvilluar një kulturë seksuale që i ndihmon ata të kuptojnë mundësitë që kanë dhe të dinë kur të kërkojnë ndihmë.

Në këtë kontekst, kryetari i Dhomës së Avokatisë në Fier, Ermal Hamataj, ka theksuar se, fatkeqësisht, denoncimet në polici nuk e ndalin paligjshmërinë. Këto raste shpesh klasifikohen si vepra të lehta, të cilat nuk e detyrojnë arrestimin e abuzuesve. Kjo ka bërë që ata që janë pas kërcënimeve të mos kenë frikë nga ndëshkimi, por gjithsesi duhet pasur kujdes, pasi këto veprime mund të çojnë viktimën në akte ekstreme, që mund të kenë pasoja të rënda për jetën e saj.

Në një situatë që po bëhet gjithnjë e më alarmante, kërkohet një vigjilencë më e madhe nga të gjitha institucionet, duke përfshirë shkollat dhe shoqërinë në përgjithësi, për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen shqetësues.

Ndaj Postimin: