Fëmijët në zyrën e Eriselda Sefës gjatë javës së administratës publike në Lushnje

Një grup fëmijësh vizituan Bashkinë e Lushnjes ku u pritën me ngrohtësi nga kryebashkiakja Eriselda Sefa dhe vizituan zyrën e saj të punës

Në kuadër të “Javës së Administratës Publike”, ambientet e Bashkisë së Lushnjes u hapën për një grup fëmijësh të vegjël që vizituan institucionin më të rëndësishëm vendor të qytetit. Kryebashkiakja Eriselda Sefa i mirëpriti me dashuri, duke i lejuar ata të hynin në zyrën e saj të punës dhe të njiheshin nga afër me rolin e një drejtuesi vendor.

Fëmijët, të emocionuar nga përjetimi i veçantë, u ulën në vendin e kryebashkiakes dhe, me gjuhën e tyre të pastër dhe të çiltër, e falënderuan Sefën për mundësinë që u ofroi. Me fjalë të thjeshta e gjeste spontane, ata dhanë energji dhe ngjyra në një hapësirë zakonisht formale. Shumë prej tyre kërkuan të realizonin foto për të fiksuar këtë kujtim të paharruar.

Ky aktivitet nuk është i pari i këtij lloji për Eriselda Sefën. Ajo ka pritur më herët fëmijë të të gjitha moshave, veçanërisht ata që janë përfshirë në aktivitete kulturore, sportive dhe artistike, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi. Kryebashkiakja i ka vlerësuar dhe shpërblyer publikisht për arritjet e tyre, duke theksuar se të rinjtë përfaqësojnë potencialin më të rëndësishëm për të ardhmen e qytetit.

Gjatë këtyre dy viteve të fundit, Bashkia e Lushnjes ka përqendruar vëmendjen në përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale për fëmijët. Investimet në çerdhe, kopshte dhe shkolla kanë qenë prioritare, duke synuar krijimin e një jete më të qëndrueshme dhe të sigurt për brezat e ardhshëm.

Për kryebashkiaken Sefa, çdo ditë është një mundësi për të sjellë ndryshime konkrete në jetën e qytetarëve, sidomos të më të vegjëlve. Angazhimi i saj nuk ndalet në zyra apo takime politike, por shtrihet deri në çdo cep të qytetit ku ka nevojë për ndërhyrje, përkujdesje dhe mbështetje institucionale.

Përmes këtyre iniciativave, Bashkia e Lushnjes po përpiqet të krijojë një model të administrimit afër njerëzve, ku zëri i çdo qytetari – madje edhe atyre më të vegjël – dëgjohet dhe respektohet. Dhe fëmijët, përmes kësaj eksperience, u njohën nga afër me një model pozitiv të udhëheqjes vendore.

Ndaj Postimin: