Mosveprimi i SPAK detyron FBI-në të ndërhyjë direkt me prova për itineraret, pasagjerët dhe bagazhet e avionit që Rama përdor prej 7 vitesh, duke hapur hetimin më serioz të SHBA ndaj kryeministrit shqiptar…
Marrëdhëniet diplomatike dhe qeveritare të SHBA me Shqipërinë kanë lënë kryeministrin Edi Rama jashtë axhendës zyrtare: pa ftesa, pa takime gjatë vizitave të zyrtarëve amerikanë në Tiranë, pa shtrëngim duarsh në samitet ndërkombëtare, madje as pa një urim për fitoren e 11 majit. Ndërkohë që e kanë shpërfillur në planin diplomatik, FBI ka grumbulluar dhe i ka dërguar SPAK-ut provat e para për aktivitetin real të avionit çarter që përdor Rama, gjatë fluturimeve nga Tirana drejt vendeve jashtë BE-së dhe drejt disa shteteve të BE-së të lidhura me rrjetet ruse dhe kineze.
“Pamfleti” e paralajmëroi këtë lëvizje më 14 qershor 2025, kur, bazuar në informacion të burimeve pranë BKH-së, publikoi rekomandimin zyrtar që FBI i pati dërguar Altin Dumanit, të shoqëruar me indiciet përkatëse lidhur me hetimin e udhëtimeve të çarterit “Ismaili”.
Gjatë pesë muajve, SPAK nuk ndërmori asnjë veprim. Kjo moslëvizje detyroi FBI-në të dërgojë provat e para për aktivitetet e dyshuara të avionit qeveritar, të përdorur prej shtatë vitesh nga Rama.
Provat e dërguara janë mbledhur nga vetë FBI dhe shërbime të tjera inteligjente të vendeve partnere të BE-së, të lidhura me marrëveshjet e përbashkëta antikorrupsion, anti-mafia, anti-trafiqe dhe anti-terrorizëm me SHBA.
Edhe Shqipëria është palë në këto marrëveshje, por hetimi i aktiviteteve të avionit qeveritar nga FBI është në vetvete shkelje e rëndë e besimit që duhet të ekzistojë mes institucioneve të të dy vendeve.
Mosreagimi i Altin Dumanit detyroi FBI-në në Shqipëri të hapë një hetim paralel të pavarur, duke kërkuar informacion të detajuar për destinacionet reale, arsyet zyrtare dhe jozyrtare të fluturimeve, si dhe për emrat e personave shoqërues që kanë fluturuar me çarterin qeveritar. Që prej 25 prillit 2025, FBI ka kërkuar zyrtarisht të dhëna nga Drejtoria e Shërbimit Qeveritar, kompania “Air Albania”, Albcontrol dhe Policia e Shtetit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje për bagazhet, dokumentacionin dhe listat e pasagjerëve të fluturimeve të kryeministrit.
Megjithatë, provat që ka mbledhur vetë FBI tregojnë se janë depërtuar të gjitha “rrjetat” hermetike të çarterit. Agjentët amerikanë kanë siguruar të dhëna për udhëtime të kryera drejt Turqisë, Serbisë, Dubait, Abu Dhabit, Izraelit, Egjiptit, Arabisë Saudite, Bjellorusisë, Azerbajxhanit, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës, Bosnjës, Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe disa shteteve të tjera.
FBI ka identifikuar pasagjerët e këtyre fluturimeve, llojin e ngarkesave monetare dhe materiale, si dhe emrat e biznesmenëve, bankierëve dhe trafikantëve shqiptarë e të huaj që kanë udhëtuar me çarterin me autorizim të kryeministrit, ose në mungesë të tij. Shumë prej tyre kanë marrë më pas leje ndërtimi, licenca investimi, fonde publike dhe pasuri shtetërore.
Fakti që SPAK e la pezull këtë çështje për pesë muaj dhe e dërgoi dosjen për procedim vetëm një muaj para largimit të Altin Dumanit është tregues se hetimi për fluturimet e çarterit do të jetë në dorë të drejtuesit të ri të SPAK, i cili nuk ka luks të vonojë.


