Nga podiumi i protestës së Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka përdorur pushtetin e ekzekutivit për të bllokuar SPAK-un dhe për të ushtruar presion mbi Gjykatën Kushtetuese, me qëllim mbrojtjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Edi Rama prej dy muajsh përdori gjithë pushtetin e ekzekutivit për bllokimin e prokurorisë dhe presionin e të gjitha llojeve ndaj Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur bashkëhajduten e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se Rama, sipas tij, po mban në detyrë “bashkautoren e qindra milionë eurove” dhe përmendi konkretisht projektin Qukës–Qafë Plloçë, duke thënë se është ndërtuar “me 9 milionë euro pa asnjë urë e pa asnjë tunel”.
Sipas Berishës, kryeministri “u përpoq të bëhej pushtet për të mbrojtur lubinë”, duke shtuar se “prapa saj është vetë ai”.
Në vijim të fjalës së tij, Berisha e cilësoi këtë situatë si “fazën e parë të një grushti shteti”, për të cilën tha se ka dështuar falë protestës së qytetarëve.
“Faza e parë e këtij grushti shteti dështoi dhe këtu ju keni të gjithë pjesën e kontributit tuaj”, u shpreh ai.
Berisha deklaroi se edhe “grushti i dytë që po përgatit Rama do të dështojë”, duke shtuar se “shkurti është muaji kur ne do të çlirojmë Shqipërinë”.