Fatjon Softaj në emisionin “Ballafaqim” nga gazetari Besnik Sulejmani: Rreziku i një Lufte Botërore dhe Ndikimet Globale

Eksperti i Sigurisë Publike, Fatjon Softaj,në emisionin “Ballafaqim” nga gazetari Besnik Sulejmani, ka paralajmëruar për mundësinë e një konflikti global, duke theksuar elementin e befasisë që mund ta shoqërojë një skenar të tillë.

Gjatë deklaratës së tij, ai vuri në dukje dinamikat gjeopolitike, duke përmendur vendimin e politikës anglo-amerikane për të autorizuar përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë.

Softaj theksoi se administrata e Presidentit Joe Biden po nxiton të mbështesë Ukrainën me armë dhe financime të shumta, ndërkohë që ish-presidenti Donald Trump ka premtuar publikisht se do t’i japë fund konfliktit brenda 24 orësh, kur të rikthehet në pushtet. Kjo kontrast i madh politik mes dy figurave kryesore të SHBA-së ndikon jo vetëm në strategjinë amerikane, por edhe në perceptimin global të luftës.

Në fokusin e analizës së tij, Softaj solli edhe situatën në Siri, ku përplasjet vazhdojnë të thellohen. Ai paralajmëroi se rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit dhe paqëndrueshmëria e vazhdueshme në rajon mund të krijojnë skenarë të paparashikueshëm. Për më tepër, sulmet e përsëritura të Izraelit ndaj Sirisë e komplikojnë më tej situatën, duke shtuar pasigurinë në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, deklaratat kërcënuese të Presidentit Vladimir Putin dhe Ministrit të Jashtëm Sergey Lavrov për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë dhe Mesdhe po rrisin tensionet globale. Softaj kujtoi gjithashtu paralajmërimet e Donald Trump drejtuar Rusisë, duke nënvizuar fjalët e tij për të mos provuar fuqinë bërthamore të Shteteve të Bashkuara.

Eksperti shtoi se presidentët e Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë bërë paralajmërime të ashpra ndaj Rusisë, duke theksuar vendosmërinë e tyre për të mbrojtur stabilitetin ndërkombëtar. Ndërkohë, Gjermania është në prag të zgjedhjeve të reja, të cilat mund të sjellin ndryshime të rëndësishme për një qasje më të favorshme ndaj negociatave për paqe.

Në këtë klimë tensioni, Bashkimi Evropian po rrit ndjeshëm buxhetet për mbrojtjen dhe armatimet. Softaj nënvizoi se kjo është një shenjë se BE-ja po forcon pozicionin e saj si një bllok strategjik ushtarak. Ai spekuloi gjithashtu për mundësinë që BE-ja të krijojë një strukturë të brendshme të ngjashme me NATO-n, gjë që mund të ndryshojë tërësisht ekuilibrat aktualë.

Pavarësisht tensioneve, Softaj përfundoi se ende ka hapësirë për diplomaci dhe dialog. Megjithatë, përshkallëzimi i situatës dhe rritja e kërcënimeve bërthamore po i shtyn vendet drejt përgatitjes për një skenar të mundshëm konflikti global, duke theksuar nevojën për vigjilencë dhe veprim të koordinuar ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera